E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shën Gjon Kryepremi mbërrin në Tiranë

Një tjetër shfaqje teatrore, e cila i përket dramaturgjisë shqipe vjen sonte në skenën e Akademisë së Arteve, nga dramaturgu Stefan Çapaliku. Data shënon 29 Gusht 1968. Është koha e revolucionit kulturor. Ka filluar shkatërrimi i kishave dhe xhamive. Në shtëpinë e Gjonit arrin nga jashtë televizori i parë në qytet. Ardhja e televizorit koincidon me ditën e Shën Gjon Kryepremit apo ditën e emrit të të zotit të shtëpisë. Ardhja e televizorit nuk mbetet pa rënë në sy të banorëve të mëhallës, të cilët vijnë dhe mbushin shtëpinë e Gjonit. Shumë shpejt nis përpjekja për të vënë në punë këtë aparat të çuditshëm me anë të cilit mund të çahet izolimi komunist. Ky mjet i panjohur informimi rrëmben gjithë vëmendjen dhe besimin e njerëzve. Ja pra... jashtë po shkatërrohen religjionet e vjetra. Brenda po lind një i ri: televizioni. Kjo është vepra më e re e Stefan Çapalikut, vepër e cila do të shfaqet sonte në mbrëmje për publikun. Më parë pjesa është vënë në teatrin "Migjeni", nën regjinë e Çapalikut më 24 prill. Një komedi e përgjakur, siç e cilëson dramaturgu, e cila kthen në skenë aktorin e madh Rikard Ljarja dhe na zbulon një dimension të veçantë të aktores Zyliha Miloti. Stefan Çapaliku shënon bashkëpunimin e dytë edhe si regjisor me Teatrin Migjeni pas dramës "Putargat e thata" të vitit 2008. Kisha kohë që mendoja dhe reflektoja me veten time sesi kishte mundësi që në Shqipërinë postkomuniste edhe rreth 20 vjet pas rënies së sistemit gjakatar të mos ishte shkruar një vepër teatrale, që t'i referohej dhe t'i bënte jehonë një epoke të mbushur me drama njerëzore siç ishte ajo e komunizmit. E di se janë shkruar kujtime dhe në përgjithësi letërsi dokumentare, por shumë pak fiksion dhe me sa kam dije shumë pak ose aspak vepra teatrale. Kjo pikëpyetje mbi këtë mungesë të madhe u rëndua kur rashë në kontakt me një pjesë të veprave teatrale të shkruara nëpër vendet ish-komuniste. Kishin qenë vende që kishin pas një komunizëm mjaft fiktiv, si Republika Ceke, Hungaria, Polonia etj dhe megjithatë në vitet 90 e deri sot e kësaj dite kanë prodhuar me qindra performanca teatrore dedikuar jetesës në komunizëm. Nuk kisha përgjigje për këtë. Ose populli ynë është tragjikisht amnez a kujtesëshkurtër ose nuk është ndarë ende prej asi sistemi. Pra ndoshta është e para vepër e imja që nis të shkruhet prej një motivi ideologjik, shprehet për veprën e tij Çapaliku. Vepra vjen me skenografi nga Zef Paci, kostume nga Belinda Maci dhe koncertmaestër Marjan Deda. Në këtë shfaqje interpretojnë aktorët Zyliha Miloti, Agron Dizdari, Frederik Fistani, Enver Hyseni, Merita Smaja, Rita Gjeka, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›