E Diel, 1 Nëntor 2026

Çohu, kënga e West Side Family që do të shoqërojë Ramën gjatë fushatës

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në një mënyrë krejt të veçantë ka vendosur edhe të këndojë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e qershorit. Në ambientet e selisë rozë, është prezantuar kënga e re e fushatës elektorale me titullin Çohu, e cila vjen si bashkëpunim midis djemve të grupit të njohur West Side Family dhe kreut socialist, Rama. Kjo është hera e dytë që Edi Rama bashkëpunon me këtë grup, pas këngës së parë Tirona, që u kurorëzua edhe me fitoren e tij si Kryetar Bashkie i Tiranës. Kënga e plotë do të lançohet ditën e enjten në mbrëmje, në eventin e hapjes zyrtare të fushatës elektorale. Kreu i PS-së, i cili deri tani është treguar i rezervuar për ti zbuluar detajet e fushatës, u shpreh se kënga dhe klipi i saj do të jenë gati të enjten. Kështu, kënga Çohu e grupit të njohur muzikor West Side Family pritet të shoqërojë si kolone zanore të gjithë fushatën e kryetarit socialist Edi Rama. Lideri socialist vlerësoi se ky bashkëpunim me grupin West Side Family do të jetë një thirrje e qartë për gjithë shqiptarët e shqiptaret për ta çuar Shqipërinë drejt një qeverisjeje qytetare. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se fushata që po fillon ka këngën e saj, e cila është një këngë që e ka përgatitur bashkë me miqtë e mirënjohur të West Side Family dhe është një këngë e cila është pjesë e asaj fryme që tanimë socialistët e ndiejnë dhe e përçojnë njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë, si frymën e ndryshimit për tu çuar. Kënga titullohet Çohu dhe unë jam këtu bashkë me miqtë e mi dhe këngëtarët e famshëm shqiptarë për tju prezantuar një copëz të asaj që do të jetë kënga që do të shoqërojë të gjithë udhëtimin tonë nëpër Shqipëri dhe të gjithë këtë episod përmbyllës të një rrugëtimi të gjatë për të çuar në qeverisje qytetarin, u shpreh kreu i selisë rozë, Edi Rama. Sipas tij, në rreshtat e kësaj kënge natyrisht që gjithkush mund të gjeje dhe filozofinë politike të socialistëve, si dhe mënyrën se si një grup artistësh të rinj, shprehin mbështetjen për këtë forca politike. Është hera e parë në konferencat tona që mikrofoni dridhet. Me sa duket dridhet sepse ndien muzikën që vjen pas fjalëve tona, është një muzikë drithëruese sepse është besoj unë me gjithë zemër, muzika që është në shpirtin e çdo shqiptari e shqiptareje që realisht do një Shqipëri më të mirë, që realisht do një ndryshim të madh dhe të shumëpritur dhe që realisht do një vend evropian këtu në mes të Evropës ku në asnjë mënyrë ne nuk mund të pajtohemi me faktin se kemi mbetur më të fundit fare, prapa një dere të mbyllur që ende nuk po hapet dhe të cilën ne do ta hapim së bashku pa humbur kohë, duke fituar në 28 qershor dhe pastaj duke trokitur me këmbëngulje dhe vullnet, që më në fund çdo shqiptar e shqiptare të lëvizi lirisht në Evropën që na takon edhe ne si të gjithë evropianëve të tjerë. Tani për ju kemi përgatitur një copëz të këngës, të cilën do ta dëgjoni të plotë pasnesër, të enjten në mbrëmje në hapjen e fushatës sonë, shtoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›