Koncert festiv për 1 Qershorin
Një koncert koral festiv për fëmijët e kryeqytetit që të festojnë ditën e tyre, atë të 1 Qershorit. Kështu, në këtë ditë të veçantë për ta do të zhvillohet një koncert në sallën e Teatrit Kombëtar të Kukullave, nën kujdesin e Qendrës Kombëtare Kulturore për fëmijë.
Ky aktivitet vjen pas një pune disa mujore dhe profesionale të disa figurave të njohura në këtë fushë si, me skenar të të mirënjohurit Jorgo Papingji, i cili është njëkohësisht edhe udhëheqësi artistik, gjithashtu vjen me skenar të Xhavit Ujkanit dhe regji të Klaudia Hilës. Nga drejtuesit dhe specialistët e këtij spektakli është bërë një punë e kujdesshme për të arritur një unitet dhe bukuri të tingëllimit koral, duke u përkujdesur që çdo anëtar i këtij grupi të zotërojë shprehitë vokale. Duke u nisur nga kjo, edhe repertori është përzgjedhur me një përkujdesje të veçantë, duke marrë në konsideratë mundësitë vokale të fëmijëve, si dhe të grup moshave të ndryshme. Gërshetimi i këngëve korale me ato solistike janë pjesë e këtij repertori, ku spikasin këngët popullore të përpunuara, ato klasike dhe ato fëminore. Këtë spektakël e pasuron larmia që do të sjellë grupi i valleve, i cili me repertorin e tij të larmishëm do të sjellë kërcime klasike, popullore dhe me elementë bashkëkohorë. Puna për realizimin e këtij aktiviteti sipas Drejtoreshës së Artit dhe Kulturës në QKKF, znj.Nigda Dako, udhëheqësit artistikë, z.Xhavit Ujkani, mjeshtres së vokalit, znj. Eleonora Asllani, është në fazën përfundimtare për realizimin e këtij koncerti. Bashkëpunimi me shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit dhe në veçanti me mësuesen e apasionuar, znj. Violeta Shamku të shkollës Avni Rustemi është një eksperiencë që kërkon vazhdimësi të mëtejshme.