E Diel, 1 Nëntor 2026

Shën Maria 40 ikonat e zhdukura në kohë

 

Në kishën e vjetër të Elbasanit, ku janë vjedhur shumica e ikonave origjinale. Historia e kësaj kishe të njohur në vend

ELBASAN-Nuk mund të quhet se ke vizituar Elbasanin, nëse nuk ke vizituar kishën e vjetër të Shën Marisë. Në oborrin e kësaj kishe qëndrojnë edhe dy simbole të rëndësishme të qytetit të Elbasanit, varri i Konstandin Kristoforidhit dhe godina e shkollës së parë shqipe në këtë qytet. Ndërsa ndalesh në kishën e vjetër, sapo zbret shkallët të mirëpret era e temjanit dhe më pas një panoramë që përbëhet nga një ikonostas i punuar me mjeshtëri. Ai përmban 46 vende për ikonat që simbolizojnë përbërjen e kopshtit të Edenit. Megjithatë, as kjo kishë nuk i ka shpëtuar dëmtimeve, vjedhjeve dhe plaçkitjeve. Tashmë në këtë kishë kanë mbetur vetëm dy ikona origjinale. Edhe kapela është dëmtuar, por pikturat murale vazhdojnë të tregojnë mjeshtërinë dhe rëndësinë e kësaj kishe të krishterë, e cila vazhdon të ruajë pavarësinë autoqefale të udhëhequr nga famulltari i saj Atë Nikollë Marku.

***

Dy ikonat e mbetura: Shën Gabrieli dhe Shën Mihaili ose Mëhilli, dy kryengjëj janë të vetmet origjinale, veç ikonostasit i cili tregon madhështinë dhe ngjyrat disa shekullore që i kanë qëndruar kohës.Si një njohës i mirë i historikut të kishës, at Nikolla na tregon se dioqeza Shën Maria është një kishë orthodhokse me ritual bizantino-orthodhokse ku qytetarët e bazojnë lutjen e tyre duke shpalosur edhe çështjen kombëtare. “Kisha ështëndërtuar në vitin 1486 ndërsa ikonostasi është i ndërtuar nga 40 mjeshtra dibranë, të cilët punuan për 10 vjet derisa e mbaruan ikonostasin, i cili sibolizon kopshtin e Edenit. Ky është realizimi më mjeshtëror nga dora e mjeshtrave shqiptarë. Gdhendja në dru bushi bën që ky ikonostas të ketë një jetë shumë të gjatë. Kisha ka në sipërfaqjen e saj katakombet, ku janë vendosur trupat e të vdekurve në një thellësi prej 4 metrash. Kjo kishë, sipas të dhënave gojore është djegur në vitin 1819 dhe është restauruar që nga viti 1826 e deri në vitin 1833. Ikonostasi , i ciliështë ndërtuar në vitin 1556, ka qënë i kompletuar me të tërë ikonografinë e duhur. Ikonat të pikturuara ngaikonografët më të njohur të stilit shqiptar Onufri dhe i biri, Nikolla, Konstandin Shpataraku dhe David Selenica.

***

Në këtë kishë madhështore kanë mbetur disa ikona të pakta, që tregojnë kulturën mesjetare të popullit shqiptar.Ndër ikonat e pakta originale të mbetura janëdy ikonat e Shën Gabrielit, shën Mihailit, dy kryengjëjt e Zotit.Kulturën mesjetare të kishës e tregon më së miri dhe ndërtimi i saj i tëri në gur dhe me gurë kraste të zgjedhur. Me ardhjen e ndryshimeve demokratike, krahas hapjes së institucioneve, njerëz të papërgjegjshëm vërshuan nëpër kisha për të vjedhur dhe shitur gjithçka me vlerë që kishte aty. Këtë fat pati edhe kisha Shën Maria.

FE DHE KOMB

Prifti atdhetar At Nikolla

At Nikolla që veç riteve shqip, nuk harron t’iu kujtojë besimtarëve se çështja kombëtare vazhdon të jetë e rëndësishme, ka vendosur në qendër të kishës një flamur shqiptar me shqiponjën dykrenare. Në këtë kishë të Mesjetës, gjithçka tregon vlerë. Pikturat murale janë një tjetër vlerë e kësaj kishe dhe vendi i lutjeve ka gjithashtu një histori. Kisha ka shërbyer edhe si një strehë në kohërat e luftrave dhe në bazë të gojëdhënave dhe dëshmive, në Kapelën e saj kalon një tunel i cili del jashtë qytetit dhe i ka shërbyer luftëtarëve, patriotëve dhe njerëzve që përndiqeshin nga pushtuesit për t’u larguar. Tashmë, ky tynel nuk funksionon më pasi në qytet janë bërë shumë ndërtime dhe pjesë- pjesë ai është prishur, por ende kisha fsheh misteret dhe bukurinë e tyre nën tokë.

QENDRA

Labirinthet e Kalasë së Elbasanit

Lagjja “Kala” është zemra historike e qytetit të Elbasanit dhe rrugicat me kalldrëm, kisha, xhamia, shtëpia e Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, por edhe të elbasanasve që kanë bërë emër në historinë e këtij qyteti i qëndrojnë kalasë, duke i shtuar vlerat asaj. Por misteret e kësaj lagjeje janë të shumta dhe rrugët në formën e një labirinti ia shtojnë më shumë bukurinë duke e bërë një ndër vendet më të vizituara gjatë gjithë kohës, sa herë që një turist apo mysafir viziton Elbasanin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›