Gjiknuri: Nuk votojmë asnjë ligj që kërkon 84 vota
Asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar nuk do të mund të kalojë nëse kërkesa e opozitës për transparencën e zgjedhjeve nuk do të marrë përgjigje. “Kuvendi është në ditën e tij më të zezë. Në këto kushte, kur klima është acaruar, do të ishte shumë e vështirë që të realizohej konsensusi i nevojshëm për këto ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Patjetër që PS është për ecjen përpara, për reformat e këtij vendi, por duhet të krijohet klima e nevojshme në këtë vend për çështjet më themelore që i takojnë qoftë parlamentarizimit, qoftë dhe kushtetueshmërisë së qeverisjes në këtë vend”, deklaroi dje për Tv ALSAT deputeti socialist, Damian Gjiknuri. Ai ka vlerësuar se përpos së drejtës parimore të PS për të kërkuar hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, kriza po thellohet nga veprimet e fundit të shumicës së djathtë, sidomos për sa i përket ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Ky vullnet i diktuar me forcë kartoni nga PD dhe koalicioni i saj, sipas Gjiknurit, dëmton klimën e nevojshme për konsensus politik, e cila është e nevojshme si për tejkalimin e krizës, ashtu edhe për miratimin e ligjeve organike. “Nëse ka një kompromis politik, nëse ka dhe një zgjidhje për krizën e thellë politike në të cilën jemi futur, nëse Kuvendi trajtohet si arenë debati dhe jo arenë force nga ana e mazhorancës për të ndryshuar rregullat brenda natës, patjetër që çdo gjë është e diskutueshme dhe ne jemi atje për të bërë politikë”, deklaroi Gjiknuri. Përveç arsyeve të brendshme që përcaktojnë këtë qëndrim kushtëzues të opozitës në Parlament, duhet thënë se një votë kundër për ligjet organike është mjeti i fundit i presionit që ajo ka ndaj shumicës së djathtë. Kjo, pasi si në rastin e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, ashtu edhe për sa u përket nismave të tjera ligjvënëse, apo edhe në dhënien e pëlqimit për emrat e anëtarëve të gjykatës, partia e drejtuar nga Sali Berisha nuk ka përfillur thuajse fare fjalën e PS. Kështu, teksa selia rozë mund të thotë sot se ka braktisur bojkotin dhe ka hyrë në rrjedhën normale të jetës parlamentare, gjithsesi ajo ka në dorë instrumentin kyç të vendimmarrjes në të për ligje shumë të rëndësishme. Me fjalë të tjera, ajo po dikton nevojën për konsensus të PD-së brenda Kuvendit, si një premisë të re për të negociuar edhe për krizën që vijon prej 1 viti.
#