Brajoviç: Nuk ka kërkesë nga Kosova për kufirin
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike i Malit të Zi, Ivan Brajoviç, i ka deklaruar gazetës “Vjesti” se nuk ka marrë kurrfarë letre nga ministri i Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi, me kërkesën që të fillojë procesi i demarkacionit të kufirit, transmeton “FoNet”. Rexhepi më parë ka akuzuar zyrtarët malazezë se qëllimisht po mbyllin sytë para problemeve rreth kufirit dhe se nuk janë përgjigjur në kërkesat e mëhershme të Prishtinës për zgjidhjen e çështjeve kufitare. Siç transmeton TV i Malit të Zi, Rexhepi ka thënë se qytetarët malazezë kanë lëvizur, një nga shenjat e rëndësishme kufitare në dëm të territorit të Kosovës. Ai ka shtuar se javën e kaluar i ka dërguar letër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi me kërkesën që të fillojë demarkacioni i kufirit. Brajoviç sipas “FoNet” iu ka kundërpërgjigjur se nuk ka marrë kurrfarë letre nga Rexhepi.
#