E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultatet në sport, ja kush përfiton

188.5 milionë lekë të vjetra për shpërblimin e disa sportistëve dhe trajnerëve të tyre
TIRANË- Një fond rreth 188.5 milionë lekë të vjetra do të shtohen në buxhetin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me qëllim shpërblimin e disa sportistëve dhe trajnerëve të tyre, për rezultate të larta të arritura në Kampionatin Botërore të Peshëngritjes (për të rinj), Kampionatin Evropian të Qitjes dhe Kampionatin Botëror të Mundjes. Qeveria ka miratuar dje projektvendimin që përcakton këtë shtesë fondi, i cili do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Në relacionin që shoqëron projektvendimin jepen emrat e sportistëve që do të përfitojnë shpërblimin dhe masën e tij. Shpërblimin më të madh, sipas relacionit, do të përfitojë mundësi Sahit Prizreni, i cili ka fitues Medalje të Bronztë në Kampionatin Botëror të Mundjes së Lirë dhe Klasike që u zhvillua në Azerbajxhan. Prizreni do të marrë një shpërblim prej 60 milionë lekësh të vjetra, ndërsa trajneri i tij, Burhan Arapi do të marrë një shpërblim prej 18 milionë lekësh të vjetra. Një tjetër sportist që do të përfitojë shpërblimin, në bazë të vendimit të qeverisë, është dhe qitësja Lindita Kodra, fituese e Medaljes së Artë. Kodra do të marrë shpërblimin prej 50 milionë lekësh të vjetra, ndërsa trajneres së saj, Diana Mata do t'i jepet shpërblimi prej 15 milionë lekësh të vjetra. Vendimi i qeverisë përcakton shpërblime edhe për peshëngritësit. Kështu, peshëngritësit Taulant Çerepi do të përfitojë shpërblimin prej 50 milionë lekësh të vjetra dhe trajnerit të tij, shpërblimi prej 1.5 milionë lekë të vjetra; peshëngritësit Gerti Trasha i është përcaktuar shpërblimi prej 10 milionë lekësh të vjetra dhe trajnerit të tij, Ilir Çela, 3 milionë lekë të vjetra; peshëngritësit Erkand Qerimaj 20 milionë lekë të vjetra dhe trajnerit të tij, Genc Bariçi, 6 milionë lekë të vjetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›