E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të shpërndahet shpërblimi me postë për pensionistët



Posta Shqiptare është gati për të zbatuar me përpikëri vendimin e qeverisë për shpërblimin prej 5 mijë lekësh për moshën e tretë me rastin e Vitit të Ri 2009. Marrja e një pensioni dhe e shpërblimit tashmë nuk kalon përmes shumë peripecish si më parë, sepse ky shërbim mundësohet për 530 mijë pensionistë lehtësisht në 551 zyrat postare të të gjitha filialeve të kompanisë. Posta Shqiptare është duke organizuar punën dhe po merr të gjitha masat, në të gjitha nivelet, për një ecuri normale të procesit të pagesës së shpërblimit të pensionistëve për Vitin e Ri, i cili pritet të fillojë së shpejti, në mënyrë që çdo qytetar të marrë shumën që i takon, pa humbur kohë dhe pa radhë të gjata. Gjithashtu, përveç 530 mijë pensionistëve, të cilët do të marrin “kartolinën” e fundvitit në zyrat postare të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, Posta Shqiptare është e angazhuar që të shpërndajë për rreth 100 mijë persona të moshës së tretë pensionet në shtëpitë e tyre dhe bashkë me to do t’u jepet falas dhe shpërblimi i fundvitit, i akorduar nga qeveria. Shpërndarja e shpërblimeve do të bëhet në bazë të një grafiku të përcaktuar nga ISSH-ja për pensionistët, grafik ky i cili do të jetë i afishuar në çdo zyrë dhe sportel postar. Paralelisht, Drejtoria e Sigurisë Postare do të ushtrojë përgjatë gjithë kohës kontrolle të herëpashershme në zyrat postare për të ndjekur ecurinë e procesit. Do të ketë bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me institucione të tjera si ISSH dhe KESH, në rastet e mundshme sporadike të ndonjë ngërçi në shpërndarje, të cilat do të eliminohen në sajë në një kohë rekord dhe me përpikërinë më të madhe.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›