Shengen,nga sot më lehtë të marrësh vizë

Hyn sot në fuqi një procedurë e re e dhënies së vizave Shengen, në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Me një vizë Shengen, tashmë mund të lëvizësh pa iu nënshktruar kontrolleve në kufij. Ndërsa procedura thjeshtëzohet edhe më shumë. Nëse kërkesa për vizë refuzohet tani do të argumentohet dhe arsyeja e këtij refuzimi, një veprim i cili nuk është bërë më parë. Kodi i ri parashikon që drenda 15 ditësh kalendarike, konsullata e një vendi Shengen, duhet t'i japë një datë aplikantit në të cilën ai mund të paraqesë formularin e aplikimit për vizë. Më pas, brenda dy javësh duhet të merret vendimi për dhënien ose jo të vizës. Kodi parashikon në parim të mbetet e pandryshuar pagesa prej 60 eurosh për vizë, por do të ketë disa përjashtime. Do të ketë ulje të pagesës për fëmijët 6 deri 12 vjeç, që mund të arrijë në 35 euro si dhe janë parashikuar përjashtime për grupe të caktuara aplikantësh.
Kodi i ri i Bashkimit Europian për vizat, sanksionon njësimin e procedurave për marrjen e vizave në të 25 vendet e zonës Shengen. Komisionerja e BE-së për Drejtësinë, Cecilia Malmstrom deklaron se, "synimi i kodit të ri të BE-së për vizat është të koordinojë procedurën në të gjitha vendet Shengen dhe kështu, ta bëjë atë më të lehtë për miliona vetë që aplikojnë për një vizë Shengen". Këto masa synojnë thjeshtimin e procedurave dhe afate më të shkurtra për marrjen e vendimit, si dhe u japin të drejtën qytetarëve që u refuzohen vizat që të ankohen në rrugë ligjore. Në rregullat e reja parashikohet dhe refuzimi i vizës i cili duhet të argumentohet dhe mund të ndiqet rruga juridike nga qytetarët. Duke filluar nga prilli 2011 do të jetë e mundur të ndiqet rruga juridike në të gjitha vendet Shengen, nëse viza refuzohet.