E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron 4 krerët e komuniteteve fetare


Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi me urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" 4 krerët e komuniteteve fetare. Për kontributin dhe veprimtarinë në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare, Topi dekoroi kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Anastas Janullatos, kreun e Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita, kreun e komunitetit Mysliman Selim Muça si edhe kreun e komunitetit bektashi babë Reshat Bardhi.

Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit theksoi se harmonia fetare ka një rëndësi të veçantë. Presidenti deklaroi se harmonia fetare është një vlerë e veçantë në vendin tonë, një vlerë që nuk na është dhuruar."Harmonia fetare nuk na është dhuruar. Ne jemi krenarë për këtë bashkëjetesë fetare", u shpreh Topi.
Kreu i shtetit bëri apel për nxitje dhe perfeksionim të harmonisë fetare. Ai theksoi gjithashtu se feja dhe demokracia bashkëjetojnë. "Shteti e feja janë aleat në rrugën e progresit", pohoi ai. Po ashtu, Topi theksoi se shqiptarët nuk e kanë harruar asnjëherë formulën "Athdhe fe". Topi theksoi se përdorimi i fesë për qëllime politike është i papranueshëm.

Kreu i komunitetit Mysliman Selim Muça tha në fjalën e tij se komuniteti mysliman do ecë në rrugën e tolerancës dhe harmonisë fetare.
Anastas Janullatos, kreu i kishës ortodokse theksoi se sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. "Feja duhet të shërojë plagët dhe besimet fetare duhet të bashkëjetojnë", theksoi ai.
Kreu i Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita tha se shpresonte që dita e sotme do të shërbente si një nismë drejt një Shqipërie më të mirë.
Baba Reshat Bardhi, kreu i Bektashinjve tha se besimi fetar dhe harmonia kanë rëndësi të veçantë.
Të pranishëm në ceremoninë e dekorimit ishin ambasadori amerikan John Withers, prokurorja e përgjithshme Ina Rama, përfaqësues të komuniteteve fetare e të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›