E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat ndaj prokurorisë, PD llogari Ina Ramës

Gjatë raportimit njëvjeçar të punës së organit të akuzës, Ina Rama do të pyetet nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve edhe për akuzat drejtuar Prokurorisë nga institucionet e pavarura


TIRANË - Mazhoranca qeverisëse i është kthyer sërish kritikave ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, duke e cilësuar atë si jo kompetente në ushtrimin e funksionit të saj.


Pas akuzave të ardhura nga disa institucione të vendit, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, do të jenë anëtarët e komisionit të Ligjeve (ata demokratë), që do të kërkojnë shpjegime pikërisht nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kur kjo e fundit do të raportojë për punën e një viti të organit të akuzës.


Institucionet e mësipërme në raportet e tyre vjetore e kanë akuzuar direkt organin e akuzës për paaftësi në shqyrtimin dhe hetimin e çështjeve të ndryshme.


Akuzat në fjalë, një prej anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, ish-ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, i ka cilësuar jashtë ndikimit politik dhe se në shumë raste prokuroria ka ngecur duke zvarritur disa çështje. Sipas Alibeajt, e gjitha kjo situatë do të qartësohet edhe më mirë gjatë raportimit që kryeprokurorja Ina Rama do të mbajë në komisionin parlamentar të Ligjeve.


"Duket të paktën nga pretendimet e drejtuesve të këtyre institucioneve që, Prokuroria ka çaluar ca, në rastet kur Avokati i Popullit ka parë se shumë çështje zvarriten. Cilësia e hetimit, sipas Avokatit të Popullit nuk ishte më e mira e mundshme.


Apo rasti i paraqitur nga KQZ-ja për standarde të dyfishta. Ndoshta dhe Prokuroria kur të vijë para komisionit të ligjeve do të thotë, si kundërpeshë ndoshta dhe akuzat e veta ndaj këtyre institucioneve", - u shpreh ai. Gjatë ditëve në vazhdim, kryeprokurorja do t'u paraqesë deputetëve të shumicës gjithë raportin e punës së saj 1-vjeçare, në krye të Prokurorisë.


Sipas ish-ministrit Alibeaj, aktualisht deputet i Partisë Demokratike në të gjitha kontrollet e ushtruara nga ministria e Drejtësisë në punën e Prokurorisë janë vënë re shkelje, që, sipas Alibeajt, kanë rezultuar me standarde të dyfishta ndaj çështjeve të trajtuara nga Prokuroria e Përgjithshme.


"Ka rezultuar që një sërë çështjesh, një numër prokurorësh në veprimtarinë e tyre kanë bërë që të mos respektohen afatet e hetimit, të mos ketë standard unik dhe të njëjtë në trajtimin e çështjeve të ngjashme.


Dhe të gjitha këto janë të pasqyruara në raportet përkatëse që janë përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme", - tha Alibeaj. Për sa i përket raportit të vitit të kaluar, Ina Rama nuk mundi të bëjë atë për shkak të zgjedhjeve parlamentare.


Që pas tragjedisë së Gërdecit të para dy viteve, Prokuroria e Përgjithshme është vënë shpesh në shënjestrën e politikës, kryesisht të shumicës aktuale në pushtet edhe pse ishte kjo e fundit që dha miratimin për zgjedhjen e Ina Ramës në krye të organit të akuzës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›