"Pashkët", politikanët: Të zhvillohet dialogu politik

Politikanët thumbojnë njëri-tjetrin edhe në ditë festash. Kërkohet bashkëpunim për vizat
TIRANË - Në kushtet kur kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës ende nuk ka marrë zgjidhje, politikanët shqiptarë në ditën e festës së Pashkëve kanë kërkuar vendosjen e dialogut politik dhe kapërcimin e kësaj situate, e cila vazhdon prej muajsh.
Pasi kanë kryer vizitat e tyre në kishën ortodokse dhe atë katolike, përfaqësuesit politikë të majtë dhe të djathtë kanë theksuar se dialogu politik duhet të karakterizojë të gjitha forcat politike për të dalë nga ngërçi politik.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke uruar të gjithë besimtarë e krishterë e ortodoksë për festën e Pashkëve u shpreh se, duhet të bëhet më shumë për të mundësuar dialogun në Parlament, si dhe për kapërcimin e krizës politike, të cilën Topalli e cilësoi si artificiale. Kryeparlamentarja vuri në dukje gjithashtu se politika duhet të interesohet më shumë për çështjet dhe interesat e shqiptarëve, siç është procesi i liberalizimit të vizave dhe jo për axhendën politike personale të një politikani të caktuar.
Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nënvizoi se çdo pengesë është e kapërcyeshme edhe në kushtet kur shumë qytetarë shqiptarë po jetojnë çaste të vështira ekonomike. "Kjo është dita e kapërcimit të kufirit të të pamundurës dhe si e tillë është një ditë për të uruar njëri-tjetrin se çdo pengesë është e kapërcyeshme, se çdo vështirësi është e kapërcyeshme, se s'ka asgjë që është e pamundur.
Dhe në kushtet kur shumë shqiptarë dhe shqiptare jetojnë momente veçanërisht të vështira, në kushtet kur shumë familje në këtë vend jetojnë një krizë ekonomike, e cila realisht u ha shpirtin, është dita për të uruar që të gjitha këto të kapërcehen dhe për të shprehur besimin se të gjitha këto mund dhe do të kapërcehen së bashku", - u shpreh Rama.
Ndërkaq, Presidenti i vendit, Bamir Topi, evidentoi faktin se e gjithë shoqëria dhe politika shqiptare ka nevojë për një harmoni dhe një komunikim midis tyre dhe një festë e tillë, sipas tij, duhet të jetë motivim për të gjithë.
"Natyrisht bashkë me pranverën, së bashku me këto festa ku frymëzohemi për harmoni unë jam i bindur që muajt që vijnë patjetër të gjithë shqiptarët do të gjejnë motivacionin, duke filluar tek qytetari më i thjeshtë e duke përfunduar tek politikanët, për të arritur atë harmoninë e madhe, për të cilën ne kemi nevojë", - theksoi Topi.
Duke iu referuar 1-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe 61 -vjetorit të krijimit të kësaj aleance, kreu i shtetit tha se tashmë çdo shqiptar kërkon të jetë pjesë e liberalizimit të vizave dhe integrimit në Bashkimin Europian.
"Atë që përfunduam me NATO-n patjetër që do të vazhdojmë në Bashkimin Europian. Në interesin e çdo shqiptari, të çdo qytetari, pavarësisht nga niveli i tij, qoftë ky i ri, qoftë ky i moshuar, qoftë intelektual, qoftë punëtor, besoj se të gjithë në interesin e tyre kanë dëshirë që të realizojnë atë që kanë pritur prej dekadash: të lëvizin të lirë dhe besoj që lajmi i mirë do të jetë për shqiptarët shumë shpejt", - shtoi Topi.