Shëngjin, padi për prishjen e objekteve

Plazhi i Shëngjinit
Aksioni i INUK-ut dhe komunës së Shëngjinit nuk ka kursyer as objektet e ndërtuara me leje, madje me leje të dhëna nga vetë komuna gjatë këtyre viteve. Këtë shqetësim e kanë ngritur vetë pronarët e disa prej objekteve që kanë rënë preh e aksionit. Sipas tyre objektet janë shembur vetëm me një njoftim pa vendimmarrje duke mos u lënë kohë për largimin e materialëve. Disponoj dokumentacionin ligjor për pronësinë dhe lejen e ndërtimit shprehet Besnik Sula, një prej pronarëve që i është drejtuar gjykatës së Lezhës. Ndërkaq aksioni është bërë në mënyrë selektive pasi shumë objekte qëndrojnë ende në këmbë ndonëse u është dërguar njoftim për prishje.
Komuna sipas tij nuk ka marrë parasysh asnjë dokument të paraqitur dhe nuk ka dhënë asnjë shpjegim mbi arsyet e shembjes së pistës prej 11 metra linear e ndërtuar me leje ndërtimi . Sula i është drejtuar Gjykatës së Lezhës për këtë padrejtësi që i është bërë.
Ndërkohë Sula ka ngritur edhe shqetësimin se ndaj punonjësve dhe familjarëve të tij është ushtruar dhunë dhe presion nga policia duke i kyçur me dhunë në dhoma.
Sipas Sulës në komunë është zhdukur dosja e këtij objekti dhe madje ka patur sekserë që i janë afruar në emër të komunës duke kërkuar shuma të majme për të mos prishur objektin ndonëse e kishte me leje.
Gjithashtu edhe në zonën e Kunës është e njëjta situatë pronarë të shumtë i janë drejtuar gjykatës për shembjen e objekteve të tyre. Komuna hedh poshtë vendimet e saj shprehet Pashk Margjoni i cili pohon se nuk ka patur asnjë vendim për prishjen e objektit të tij, për të cilin disponon të gjithë dokumentacionin ligjor.
Komuna e Shëngjinit ka bërë një shkelje penale ndaj meje, deklaroi Tonin Ndoja, pronar i një tjetër objekti të shembur në zonën e Kunes, pasi objekti ka qenë i ndërtuar me leje dhe certifikatë pronësie, ndaj për këtë çështje i është drejtuar gjykatës dhe prokurorisë.
Pronarët e disa prej objekteve të shembura kërkojnë dhe shpresojnë që të vendoset drejtësia.
Gjykata e Lezhës krahas çështjeve të tjera duhet të merret tashme edhe me paditë e ngritura nga pronarët e shumë objekteve ndaj komunës së Shëngjinit. /Lindita Kokaj/