E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shenja normalizimi në Manhatan

Stuhia Sandy ka thuajse një javë që ka goditur bregun lindor të Shteteve të Bashkuara por dëmet e saj ende rëndojnë në jetët e miliona amerikanëve. Probleme me furnizimin me karburant, energji elektrike si dhe rifillimi i jetës normale, duket se janë sfidat me të cilat po përballen zonat e Nju Jorkut e Nju Xhërsit.

Për miliona njerëz, furnizimi me karburant do të dojë ditë që të kthehet në normalitet. Mëngjesin e sotëm, të orientuar nga punonjësit e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave, disa njerëz po furnizonin makinat e tyre falas me karburant në Frihold të Nju Xhërsit.

Por ka zona në Shtetet e Bashkuara ku kjo ndihmë nuk ka mbërritur ende. Në Hackensas të Nju Xhërsit, Melisa Stefano dhe i dashuri i saj po presin në radhë për të marë karburant për gjeneratorin e shtëpisë së tyre

"Njerëzit po humbasin durimin".

Është e njëjta situatë acaruese që miliona amerikanë po e përballojnë për thuajse një javë. Radhë të gjatë, në këmbë apo me makinë, thjesht për të marrë disa litra karburant.

“Shikoni shkatërrimet. Sikur jemi në një zonë lufte”.

Ndihma po mbërrin, pasi mbi 60 milionë litra karburant të premtuara nga Agjencia Federale e Ndihmave, është rrugës për në pikat e karburantit, në zonat e goditura nga stuhia Sandy. Edhe Nju Jorku, po kthehet drejt normalitetit.

“Nëse gjërat shkojnë sipas planeve tona, shpresojmë të rihapim trafikun në rrugën” 57 West,” thotë kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut. Zoti Michael Bloomberg ka folur për qytetarët duke treguar ecurinë e deritanishme. Një vinç i madh që rrezikonte një godinë, tashmë është riparuar, semaforët po punojnë përsëri, linjat e metrosë po nisin punën normalisht, dhe dyqanet e ushqimeve kanë nisur të hapen sërish...

Por nëse Manhateni ka nisur të marrë veten, duket se lagjet e tjera të qytetit, të goditura nga stuhia Sandy, do të duan kohë për t’iu rikthyer normalitetit. /voa/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›