Freedom House: Përmirësim i moderuar i medias në Kosovë
Liria e shtypit në vend, një hap më përpara se vitin e kaluar
Raporti i ri për Lirinë e Mediave i Freedom House, vëren se në Evropën Qendrore dhe Lindore, klasifikim ky ku hyn edhe Kosova dhe fqinjet e saj, është shënuar një rënie nga viti i kaluar. Hungaria është zhvendosur nga vend i lirë, në atë me liri të pjesshme të shtypit. Ndërsa Maqedonia ka shënuar ulje si dhe Ukraina. Përmirësimet e vetme të vogla, sipas raportit, janë shënuar në Kosovë, Mal të Zi dhe Gjeorgji. Për Kosovën është përmendur si përmirësim rënia e sulmeve ndaj gazetarëve si dhe transparenca më e madhe e pronësisë së mediave. Zëvendëspresidenti për strategji dhe analiza në Freedom House, Kristofer Uoker shpjegon se në Kosovë është vënë re një lehtësim relativ në klimën e gazetarisë, dhe po ashtu hapat që janë ndërmarrë për të rritur transparencën e pronësisë në mediave, çështje kjo që prek tërë rajonin. Kjo i ka kontribuar një përparimi modest vlerësimit për Kosovën këtë vit”, tha për Radion Evropa e Lirë, Kristofer Uoker. Raporti vjetor ka vlerësuar nivelin e lirisë së mediave të shkruara, atyre elektronike dhe në internet në 197 vende, duke u bazuar në faktorët ligjorë, politikë dhe ekonomikë. Në raportin e Freedom House, vendet skandinave janë radhitur sërish të parat për lirinë e shtypit, kurse dhjetë vendet e fundit janë Siria, Kuba, Guinea, Irani, Bjellorusia, Eritrea, Uzbekistani, Turkmenistani dhe Koreja Veriore.