E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shenjtërimi i votës

Greva e urisë, e iniciuar nga Ilir Meta, prezantoi si moto të saj "shenjtërimin e votës".Por, në fakt, (nëse do të vijonim të përdornim një analogji me procesin e shenjtërimit katolik), greva synonte "lumturimin e votës". Kodi Zgjedhor është vetëm hapi i parë drejt votës së ndershme. Dhe pyetja është se, tani që Kodi nuk u ndryshua ashtu siç e kërkonte LSI-ja, çfarë do të ndodhë? Nisur nga ç’ndodhi në zgjedhjet e vitit 2005, (dhe jo vetëm) ekziston teorikisht e drejta për të dyshuar se votat mund të vidhen përsëri në 2009-n. Kjo mundësi teorike, ndoshta do të materializohej nëse sistemi zgjedhor do të kishte mbetur njësoj si në 2005-n.Komisionerët nuk janë bërë me magji, gjatë këtyre viteve, më të shenjtë se ç'ishin në 2005-n. Por, sistemi i ri zgjedhor që është në fuqi, nuk u krijon më stimuj komisionerëve të PD-së për të vjedhur votat e partive të vogla, jashtë koalicioneve të mëdha. Sistemi i vjetër i krijonte këta stimuj, sepse mund të përfitohej në mënyrë të barabartë nga transferimi i votave të LSI-së dhe LZHK-së, për shembull, në drejtim të partive të vogla të koalicioneve respektive. Ndërsa në sistemin e ri, ndodh ndryshe.

Le ta ilustrojmë këtë me një shembull. Le të supozojmë se LSI-ja do të marrë në Qarkun e Beratit po aq vota sa mori në vitin 2007, kur përfaqësuesit e saj ishin të pranishëm në të gjitha komisionet zgjedhore. Pra, le të supozojmë se ata 11.487 zgjedhës të qarkut, do e hedhin votën përsëri për LSI-në. Këto vota janë të mjaftueshme për të nxjerrë një deputet (duhen rreth 9-10 mijë vota në Qarkun e Beratit për të siguruar një deputet). Edhe në rast se komisionerët e PS-së, do të donin të transferonin vota të LSI-së drejt koalicionit të tyre, në mënyrë që ajo të mos marrë asnjë deputet në qark, ata nuk do munden ta bëjnë këtë gjë. Pse? Ka një arsye shumë të fortë, dhe kjo lidhet me rivalët e PD-së. A do të ishin po aq të interesuar komisionerët e PD-së për transferim reciprok votash?Përgjigjja e kësaj pyetje është një “JO” e madhe. Ata do të ishin të interesuar, në qoftë se LZHK-ja dhe PDK-ja do të kishin në qarkun e Beratit numër të ngjashëm votash me të LSI-së.Por LZHK-ja dhe PDK-ja nuk kanë gjasa të marrin mjaftueshëm vota në atë qark sa për të nxjerrë një deputet.Pra, transferimi i votave të LZHK-së dhe PDK-së drejt koalicionit të PD-së, nuk do të kishte asnjë efekt real për të.Dhe në qoftë se PD-ja nuk përfiton nga transferimi i votave të LZHK-së dhe PDK-së drejt koalicionit të saj, pse ta lejojë PS-në të përfitojë nga transferimi i votave të LSI-së drejt koalicionit të vet?

Shembulli i qarkut të Beratit vlen në fakt për çdo qark, me përjashtim ndoshta të qarkut të Tiranës, ku LZHK-ja mund të marrë mjaftueshëm vota sa për të nxjerrë një deputet. Por problemi është se votat e LZHK-së janë përqendruar në qytet, ku transferimi i votave do të jetë shumë, shumë më i vështirë se sa në fshatra të largët. Kjo, sepse vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë, nuk do e lejojnë të ndodhë ajo gjë. Pra, edhe nëse komisionerët e PS-së dhe PD-së do të jenë barabar të interesuar të kryejnë në Tiranë transferim reciprok votash, nuk do të jenë dot në gjendje ta bëjnë atë. Në përfundim, mund të thuhet se, edhe pse «lumturimi i votave» të LSI-së nuk u arrit dot nëpërmjet grevës së urisë së iniciuar nga Meta, shenjtërimi i tyre duket se do të arrihet falë sistemit të ri zgjedhor, si dhe falë vëzhguesve të shumtë të huaj, që do të gëlojnë ditën e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›