E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sami Frashëri dhe Kongresi i Manastirit

Kongresi i Manastirit, në historinë tonë, është përjetuar si tubimi që solli alfabetimin e gjuhës shqipe, por njëkohësisht edhe si ngjarja e madhe që tregoi se shqiptarët mund të bashkohen dhe mund të vendosnin për çështje madhore të fatit të tyre kombëtar, e cila i parapriu edhe shpalljes së pavarësisë, që do të ndodhte 4 vjet më vonë, më 1912-n.

Duke patur një rëndësi të tillë, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me faktin që kodifikimi i alafabetit të një gjuhe është shprehje e përbashkësisë dhe vetëdijes së një kombi, është e natyrshme që kjo ngjarje të bëhet objekt diskutimi dhe të vihet në qendër të studimeve të shumta. Natyrshëm, për këtë janë botuar studime të plota, madje edhe libra me dokumente arkivore, të cilat ndihmojnë në ndriçimin e saj. Por, ajo që nuk është sqaruar dhe që ka mbetur ende e pathënë, është inkuadrimi i drejtë historik i kësaj ngjarjeje në kuadrin e zhvillimeve politike, sociale e kulturore që po ndodhnin në Perandorinë Osmane, pjesë e së cilës, në atë kohë, ishin dhe trojet shqiptare. Mungesa e këtij kuadratimi historik, e cila është një mangësi që karakterizon në përgjithësi historiografinë tonë, sjell një trajtim të izoluar dhe moskonceptimin e fenomenit në të gjithë tërësinë e tij. Për ta konkretizuar më tej këtë mendim dhe për të vënë në dukje rëndësinë që ka një qasje e tillë, dua të ndalem në personalitetin e Sami Frashërit, i cili ka qenë një protagonist shumë aktiv dhe qendror, si në lëvizjen nacionaliste shqiptare, ashtu edhe në përpjekjet për reformimin e turqishtes osmane.

Pa dashur të ndalem në veprimtarinë dhe krijimtarinë që Sami Frashëri ka kryer gjatë Rilindjes Kombëtare, e cila është dhënë qartë në librat e historisë të çdo lloj niveli, dua të kujtoj që Sami Frashëri është autor i manifestit politik të Rilindjes Kombëtare. Ai është kryetar i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll dhe promotori i ravijëzimit të alfabetit të Stambollit, kryesisht me bazë latine, i cili pati një përhapje shumë të gjerë në transmetimin e shkrimit shqip, deri në Kongresin e Manastirit. Është autor i shumë teksteve shkollore, përfshi këtu edhe një gramatikë të shqipes, të gjitha të shkruara me alfabetin e Stambollit. Falë kontributit të tij dhe përhapjes që pati ky alfabet mes shqiptarëve, ai u pranua si një ndër dy alfabetet zyrtare të aprovuara nga Kongresi i Manstirit. Kjo veprimtari ka bërë që Sami Frashëri, ndonëse nuk ishte fizikisht prezent në Kongres, pasi vdiq më 1904-n, të ishte i pranishëm me ato çka kishte bërë për nacionalizmin shqiptar dhe gjuhën shqipe. Për më tepër që mund të themi që, fizikisht, ai u përfaqësua atje nga një pinjoll i frashërllinjve i rritur nga ai vete, Mit’hat Frashëri.

Por, Sami Frashëri, me vizionin e tij prej shkencëtari, reformatori, ka kontribuar jo pak dhe për kulturën e gjuhën turke. Kjo veprimtari në historiografinë shqiptare, ose është anashkaluar, ose është vënë në dukje me gjysmë zëri, duke e paraqitur jo të plotë dhe në mënyrë josistematike. Janë të paktë ata që e dinë që, në historinë e gjuhës dhe kulturës turke, emri i Sami Frashërit lidhet me shumë risi. Ai është i pari që ka hartuar librin për ortografinë e turqishtes; është i pari që ka paraqitur në mënyrë sistematike teoritë mbi shkencën e gjuhësisë dhe, në këtë kuadër, është i pari që përdor në turqisht termin gjuhësi e përgjithshme; është i pari që harton një fjalor të plotë të gjuhës turke, sipas parimeve të leksikografisë perëndimore dhe që e emërton fjalor i turqishtes, duke shmangur përdorimin gjuha osmane. Pasi, termi osman, sipas Samiut, ka lidhje me emrin e një dinastie dhe nuk ka të bëjë me gjuhën e folur dhe të përdorur nga vetë populli turk.

Madje, edhe pikëpamjet e shprehura prej tij janë gjithashtu risi në vetë historinë e mendimit dhe të kulturës turke, pasi është i pari që perspektivën e zhvillimit të turqishtes e sheh dhe e vendos në kuadrin e gjuhëve turke që fliten në Azinë Qendrore, madje edhe purifikimin e pasurimin e saj e lidh ngushtë me perspektivën brenda këtij grupi gjuhësh. Kjo pikëpamje, e cila në kohën kur jetoi Samiu nuk gjeti shumë jehonë, u mbështet dhe u zhvillua me politikat gjuhësore që u ndërmorrën nën drejtimin e Ataturkut në Turqinë republikane.

Duke pasur dhe një dimension të tillë të mirëdukshëm, personaliteti i Sami Frashërit është një ndër rastet më tipike që dëshmojnë për vetë kontekstin historik dhe social, në të cilin ndodheshin trojet shqiptare në këtë periudhë, e cila në mënyrë të pashmangshme sillte dhe ndërthurjet e realiteteve. Dhe, në këtë truall mendimi dhe shkence, lindën dhe vepruan figurat madhore të nacionalizmit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Jani Vreto, që, me mendimet dhe bëmat e tyre, i paraprinë përgatitjes së Kongresit të Manastirit.

Së fundi, dua të kujtoj se shqiptarët kodifikuan alfabetin e tyre më 1908-n, disa vjet para se të ngrenë shtetin e tyre të pavarur. Kurse turqit, megjithë ndikimin e fuqishëm që pati mendimi shkencor i Sami Frashërit, alfabetin latin arritën ta vënë në përdorim më 1928-n, vetëm disa vjet pasi krijuan shtetin e tyre republikan.

*Dr. Genciana Abazi (Egro), është studiuese në Qendrën e Studimeve Albanologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›