Shenjtorët e Teodor Kekos
Për sjellje të “pahijshme” të dy janë dënuar të punojnë në një mensë popullore. Në një nga ato që tiranasit u kishin vënë emra si “Morri”, “Derri”… Tavolinat e larta ngjyrë bojëqielli renditen pas murit. Nuk ka karrike. Aty haet në këmbë dhe shpejt madje. Ndërsa në banak renditen një mbi një kuleçët 5 dhe 7 lekësh, “ingranazhet” e famshëm të kuq e të bardhë, byrekë… Që përtej nxin një sobë druri me rrathë, ndërsamuret janë mbushur me parulla. Ky është ambienti ku dashurohen Gjinovefa e Goni, dy personazhet e tregimit “Shenjtorja” të Teodor Kekos. Sapo e lexoi, regjisori Eno Milkani e pa atë të realizuar në një film. U deshën të kalonin ca vite, që nga koha kur vetë Dori miratoi që tregimi i tij të bëhej film, që të nisnin xhirimet. Këto ditë grupi i xhirimit të Eno Milkanit u vendos në ambientet e Kinostudios. Në një nga ndërtesat e shumta të këtij qyteti gjysmë të rrënuar ngritën sheshxhirimin dhe krijuan këndin, ku nis dashuria e dy të rinjve, të cilët interpretohen nga Amos Zaharia dhe Jonida Vokshi. “Shenjtorja” është një prodhim i Shtëpisë Kinematografike “Maku”. Për regjisorin Milkani, nuk është thjesht një film 25-minutësh. Është një amanet i lënë nga Dori, të cilit duhet t’i shkojë deri në fund.
Si lindi ideja për të bërë një film mbi “Shenjtoren” e Teodor Kekos?
Është një projekt i nisur që në vitin 2001. Pasi lexova një libër me tregime të Teodor Kekos, më ngeli në mendje tregimi “Shenjtorja”. Pashë që ishte shumë kinematografik dhe mund të konvertohej në film. Por ngjarjet rrodhën në mënyrë të tillë që nuk munda ta vija në jetë. Aso kohe u poqën kushtet për filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder” dhe vetëm në shtator të vitit 2007 iu riktheva projektit. Ndërkohë, producenti Artan Maku kishte realizuar disa produksione, kisha dëgjuar për korrektësinë e tij dhe shpreha dëshirën për të bashkëpunuar me të. Ndërsa ende isha i impenjuar me “Trishtimin”, i prezantova Makut një skenar prej 10 faqesh. Në fillim hezitoi, por në shtator me t’u çelur fondi për filmin e shkurtër, e paraqiti këtë skenar për konkurrim pranë Qendrës Kombëtare Kinematografike, ku u aprovua. Xhirimet ishin parashikuar në fillim të shkurtit, ndërsa prisnim një bashkëpunim me grekët, i cili nuk u realizua, kështu që nisëm në maj, të mbështetur totalisht nga QKK.
Për çfarë tregon “Shenjtorja”?
Filmi trajton një ngjarje të fundviteve ’80. Është historia e thjeshtë e dy të rinjve, të cilëve sistemiiu kushtëzon jetët. Është një histori dashurie, e cila nuk përfundon si e tillë, por ndërpritet. Një nga arsyet është pikërisht se jetojnë në një sistem të tillë.
Keni zgjedhur dy aktorë të rinj, krejt të panjohur…
Aktorët tek të cilët i kam varur shpresat janë Amos Zaharia dhe Jonida Vokshi. Dy të rinj të panjohur, por që mendoj se do të njihen pas këtij filmi. Jam i bindur se do të kenë oferta, pasi regjisorët e tjerë do të shohin aftësitë e tyre si aktorë dhe do t’i marrin lehtësisht në filmat e tyre, madje pa pasur nevojë edhe për kinoprova. Jam i bindur për këtë, pasi 2-3 episode të rëndësishme të filmit i kemi xhiruar dhe ata e kanë përballuar me sukses. Jam shumë i kënaqur nga interpretimi i tyre. Shoh se e kanë kuptuar rolin. Ky film ka për të qenë një shkollë shumë e mirë për këta dy aktorë të rinj, të cilët po mësojnë gjuhën e artit.
Ata nuk e kanë jetuar atë kohë, sa po munden të bëhen pjesë të kësaj bote të panjohur?
Ata kanë lindur në ato vite. Amosi, për shembull, më pyet se ç’është tabela e emulacionit dhe duhet t’ia shpjegoj. Dhe janë biseda e biseda të zhvilluara, fakte të marra nga ngjarje reale, të cilat i kemi bërë qysh 2 muaj më parë, teksa iu shpjegoja rolet, gjendjen në të cilën duhet të ishin.
Krijimet e Teodor Kekos janë bërë këngë, por ende jo film, çdo të thotë kjo për ju?
Për mua është një amanet. Kur Dori ishte gjallë e pyeta nëse mundesha ta bëja këtë tregim film dhe ai sigurisht pranoi. Është një amanet edhe nga ana e familjes. Gruaja, fëmijët, vëllai, madje edhe Xhanfizeja, e cila ishte gjallë, kur u aprovua skenari, u gëzuan shumë kur mësuan se po realizoja një film mbi një tregim të Dorit. Në këtë pikë nga ana emocionale ndihem shumë mirë, sepse do të jetë si një dhuratë për familjen Keko. Për të gjithë miqtë që e kujtojnë Dorin për atë që ishte, poet, shkrimtar, deputet, gazetar, njeri me integritet, do të ketë një kujtim më shumë. Dhe kur çdo vit të mblidhemi për t’i festuar ditëlindjet, përveç poezive, apo këngëve me tekste të tij, do të jetë edhe ky film.
Kur do të jetë gati për premierë, si po shkojnë punët?
Nuk thonë kot “magjia e filmit”, pasi po realizohen të gjitha ato që kisha në mendje. Ka pasur momente që thoshja: hajt se po e xhiroj me 5 shokë këtë film, por siç e shihni krijimi i atmosferës është shumë i vështirë. Kthimi pas në një Shqipëri shumë të ndryshuar nuk është i lehtë. Vërtet është film i shkurtër, por kërkesat janë ato të një filmi të gjatë. Do të shkojë rreth 25 minuta. Premiera do të jetë ashtu siç i është premtuar QKK-së, në shtator, pastaj do të ketë qarkullimin e tij normal, nëpër televizione dhe DVD.
Jonida & Amos
Të jetosh të pabesueshmen
Ata të dy janë 20-vjeçarë. Në kohën kur zhvillohen ngjarjet e filmit ata sapo kishin lindur dhe për ta historia e Gonit dhe Gjinovefës është absolutisht absurde. Shumë gjëra nuk i kuptojnë, të tjera nuk mund t’i besojnë dhe vazhdojnë të pyesin pa fund, si ata fëmijët e vegjël, që sapo fillojnë të njohin botën. “Pranova ta bëja këtë rol menjëherë sa lexova skenarin, sepse mendova se është mënyra më e mirë për t’u njohur me mentalitetin e asaj kohe. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1987, vit në të cilin unë linda, kështu që dje me sot është një kontrast i jashtëzakonshëm. Bardhë e zi. Nuk mendoj se mund të kisha jetuar në atë kohë. Ndoshta do të më kishin prerë kokën”, - thotë Amos Zaharija, djali i aktores së njohur Yllka Mujo. Është student në degën e regjisë dhe pas “Valsit” të Armand Borës, kur ishte rreth 14 vjeç, ky është roli i tij i dytë. Edhe Jonida, që luan rolin e Gjinovefës vazhdon për regji. Është më e lidhur me teatrin, por duket se edhe filmi i pëlqen shumë. Ashtu si Amosi edhe ajo është duke zbuluar një botë tërësisht të panjohur dhe të futet nën petkat e një vajze të dënuar me punë të detyruar sepse mbante në qafë një kryq, nuk është aspak e thjeshtë. “Patjetër që është e vështirë, pasi nuk e kemi jetuar atë kohë. Ca gjëra i kemi të dëgjuara nga prindërit, edhe pse na duken të pabesueshme. Përmes këtij filmi mësuam shumë më tepër”, - thotë Jonida, për të cilën ky është roli i parë i vërtetë, pas disa bashkëpunimeve të vogla me studentë.
Danielle Balacci
Për të gjetur kinemanë artizanale
Daniele Balacci ka ardhur në Shqipëri, për të zbuluar kinemanë italiane të viteve ‘50-’60. Një periudhë e largët, ku punohej në kushte artizanale, por që mbeten vitet e arta të kinemasë në Itali. Daniele Balacci ndodhet në Tiranë si drejtori i fotografisë së filmit “Shenjtorja”. Teksa Eno Milkani ishte në kërkim të një bashkëpunëtori të zotë, një mik i përbashkët i propozon Balaccin, i cili kishte shprehur më parë dëshirën për të ardhur këtu për të thithur një lloj energjie të re, siç thotë vetë ai. “Në Itali vihet re një lloj frenimi në nivelin e ideve. Bëhen vetëm gjëra komerciale, ndërsa në nivelin artistik bëhet në të vërtetë shumë pak. Atëherë më nxiste ideja të gjeja një realitet, që mund të ishte i ngjashëm me atë të Italisë vite më parë. Flas gjithnjë në rrafshin artistik, jo atë teknik. Jam i interesaur ndaj mënyrave artizanale në kinema. Italia ka qenë një superfuqi në kinematografi në vitet ’50-’60. Ky kuriozitet për të rijetuar anën artizanale të kinemasë, më solli në këtë bashkëpunim. U nisa me shumë entusiazëm dhe këtu gjeta pak a shumë atë që prisja, një regjisor, që i ka idetë shumë të qarta”, - thotë Balacci. Ai zbulon se do të guxohet të xhirohet në një format të ri digital, që më pas do të transkriptohet në pelikul, që i jep dimensione të reja filmit sa i përket ngjyrave e kontrasteve.