Vlorë, vetëvaret në banjë 13-vjeçarja
Vlorë-Një 13-vjeçare i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur në shtëpinë e saj. Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites së djeshme, në banesën ku jetonte vajza, në kabinat e plazhit të vjetër. Sipas burimeve policore, mësohet se 13-vjeçarja M. H ka qenë në shtëpi së bashku me të dy vëllezërit e saj më të vegjël, madje këta të fundit kanë kujtuar gjithçka si lojë. Prindërit e tyre ishin të divorcuar dhe vajza së bashku me dy vëllezërit jetonin me babanë dhe njerkën. Ndërkohë që mamaja, mësohet se pas divorcit ishte larguar jashtë vendit.
Minorenia e ka kryer aktin, duke iu ruajtur vëmendjes së të rriturve. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se vajza e kishte përgatitur gjithçka që më parë dhe ka ruajtur një moment që në shtëpi nuk kanë qenë babai dhe njerka, me të cilën jetonte.
Sipas burimeve policore, vajza është vetëvarur duke përdorur një pjesë nga peshqiri në banjën e shtëpisë. Policia e mbërritur në vendngjarje, ka shqyrtuar situatën dhe ka shpjeguar aktin me atë të një vetëvrasjeje klasike. Nuk dihen ende shkaqet, që e kanë shtyrë vajzën t’i japë fund jetës, por mendohet se ajo e ka kryer atë në kushtet e gjendjes së rënduar psikologjike. Një nga pistat e para ka qenë ajo e gjendjes së vështirë ekonomike dhe ndarjes së familjes.
Po një rast i ngjashëm, por i mbetur në tentativë, ka ndodhur orët e pasdites së djeshme. Mësohet se një 18-vjeçare ka tentuar të vetëmbytet në zonën e Ujit të Ftohtë, por ka arritur të shpëtohet në kohë. Ndihma e dhënë më pas nga mjekët e spitalit rajonal ka sjellë 18-vjeçaren në jetë, fat të cilin nuk e pati dot 13-vjeçarja.