Zjarr në autobotin e gazit, dëmtohen dy persona
Komandanti i zjarrfikëseve: Situata ishte e rëndë, pasi ngjitur ishin çisternat e tjera. Shkaqet, pas ekspertizës
Vlorë-Një zjarr i rënë në një autobot gazi, ka rrezikuar shkaktimin e një tragjedie në Nartë të Vlorës dhe ka lënë të dëmtuar me djegie dy persona. Ka qenë ora 13.30 e ditës së djeshme, kurnjë prej boteve të gazit që gjendet në një pikë tregtimi gazi në Nartë ka marrë flakë. Duke parë këtë situatë, personat që gjendeshin në këtë pikë kanë tentuar ta shuajnë vetë flakën, por kjo gjë për pak sa nuk iu ka marrë jetën. Flaka ishte e papërballueshme dhe gjatë ndërhyrjes dy prej tyre kanë marrë djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
***
Gjatë kohës që personat që gjendeshin në pikën e gazit po tentonin të shuanin flakën, një telefonatë ka mbërritur në shërbimin e zjarrfikësve të qytetit të Vlorës, ku njoftonte për një zjarr në zonën e Nartës. Sipas burimeve nga zjarrfikësja mësohet se fillimisht është kujtuar për djegie të ndonjë sipërfaqeje. «Njoftimi ka qenë për një sipërfaqe të hapur dhe është kujtuar për djegie kullotash, ose sipërfaqe të gjelbër»,- thonë burimet, duke shtuar se telefonuesi nuk ka sqaruarsituatën. Për këtë fillimisht është nisur vetëm një automjet. Pas konstatimit të zjarrfikëses së parë se nuk bëhej fjalë për zjarr shkurresh, por për depozitë gazi, forcat kanë njoftuar për përforcime dhe i janë vënë menjëherë punës për shuarjen e zjarrit.
***
Gjatë kohës që po punohej për shuarjen e flakëve që kishin marrë përmasa të konsiderueshme, janë nisur për në spital dy të lënduarit. Të dëmtuarit, njëri prej tyre pronari i pikës së gazit dhe tjetri punonjës, sipasmjekëve, kishin djegie në dorë, pjesë të fytyrës dhe trupit. «Pas ndihmës së parë që kanë marrë në spital ata janë nën trajtimin e mjekëve, por jashtë rrezikut për jetën»,- thonë burimet nga spitali i qytetit.
***
Sipas zjarrfikësve, si pasojë e flakës së dalë nga çisterna është djegur dhe një automjet i firmës, i cili ndodhej pranë saj. Për fat të mirë, flaka është shuar pa arritur te çisternat e tjera. Sipas komandantit të repartit të zjarrfikësve të Vlorës, Arten Osmënaj, i cili drejtonte operacionin situata ishte shumë e rëndë. “Mund të ishte përshkallëzuar, duke rrezikuar dhe zonën, por fatmirësisht është ndërhyrë në kohë”,- tha Osmënaj. Sipas tij, nuk dihen shkaqet, të cilat e kanë shkaktuar zjarrin. Përfundimet do të dalin pas ekspertizës së policisë, e cila nisi punën vetëm pas normalizimit të situatës. Sipas zjarrfikësve, tashmë situata nuk paraqet rrezik në zonë.