Heroi i fundit i Shqipërisë
Protesta qytetare kundër projekteve industriale në jug të vendit
Nga korrespondenti i Neue Zürcher Zeitung në Europën Juglindore Martin Woker.
Në gjirin e Vlorës, në jug të Shqipërisë përplasen interesat e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit industrial. Qeveria mban një qëndrim ambivalent në kurriz të demokracisë. Një gazsjellës i planifikuar mund të korrigjonte gabimet e bëra deri tani. Po rritet trysnia mbi këtë zonë me bukuri të veçantë anë Adriatikut.
Vlorë, Prill 2008
Heroi i fundit i Shqipërisë rri i tërhequr. Hodo Kabello pret me durim derisa t’i vijë radha. Është shtatshkurtër, i veshur thjeshtë, me flokë të thinjur, me sy të zgjuar të kaltër. Pasi që folësi para tij, i një brezi të mëparshëm, ka thënë fjalën e vet në zyrën e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, ai dorëzon pa shumë fjalë një dokumentacion të pasur. Aty janë mbledhur me skrupulozitet të gjitha pasojat që do të kishin mbi natyrën dhe mjedisin industrializimi në këtë gji që ende është i virgjër. Ky dokumentacion ka peshë edhe vetëm po të mbash parasysh hartuesin e tij.
Kabello është mjek, epidemolog, ka qenë dikur përgjegjës në seksionin e karantinës në portin e qytetit. Pamja e tij nuk mund të bëhet më korrekte, mund të dallosh tek ai nënpunësin e dikurshëm të partisë socialiste. Nëse një njeri i tillë hidhet diku me pasion, atëhere vërtet duhet të ketë rënë flaka nën çati.
Mallkim dhe bekim
Këta ambientalistë janë të gjithë të instrumentalizuar, na kishte thënë përpara se të niseshim për në portin e Shqipërisë jugore Gazmend Shalsi. Shalsi është zëdhënës i firmës italiane Petrolifera. Vjeshtën e kaluar Petrolifera filloi të ndërtonte në Vlorë depozitat e saj, gjashtë depozita për naftë, katër për benzinë dhe dy për gazin e lëngët. Aktualisht specialistë turq janë duke salduar këto çisterna gjigande. Në kantier punohet prej agimit deri në mesnatë. Në plazh është duke u ngritur një mol i stërmadh që del në det. I gjithë projekti pritet të mbyllet brenda vitit. Në të vërtetë firma italiane kishte parashikuar që ta kryente ndërtimin katër vjet më parë. Por një procedurë e ndërlikuar miratimi, një ndërrim qeverish dhe protesta të qytetarëve bënë që të shtyhet ky projekt, i cili ka për qëllim të garantojë një pikë të sigurtë transporti për gjithë karburantet që nevojiten në Shqipëri. Vetëm për këtë bëhet fjalë, vetëm për këtë, thotë zëdhënësi Petroliferës. Sot për sot në Shqipëri produktet e naftës transportohen dhe magazinohen në kushte primitive, çka është rrezik për njerëzit dhe mjedisin. Përse atëhere ky kundërshtim ndaj një projekti të tillë?
Mjafton një shikim nga këndvështrimi i zogut për ta kuptuar këtë gjë. Gjiri i Vlorës është më shumë sesa thjesht një gji, ai përbën një peizazh e një tërësi kulturore-historike të papërsëritshme. Midis Patrës dhe Triestes nuk ka asgjë të krahasueshme me të, ndoshta vetëm me përjashtim të gjirit të Kotorrit në Malin e Zi (i cili është shpallur trashëgimi kulturore boterore dhe është nën mbrojtjen e UNESCO-s). Ashtu si Kotorri edhe Vlora është një port ideal me ujra të thella, çka përbën njëkohësisht mallkim dhe bekim, në varësi të këndvështrimit. Veç kësaj ky gji ndodhet në atë vend ku është më e afërt distanca ndaj Otrantos, çka favorizoi para pak vitesh një trafik të dendur me gomone drejt Italisë. Një përfaqësues i Bankës Botërore në Tiranë e shprehu në mënyrë të tillë: “Vlora është porti më i mirë për transporte në drejtim të Gilbrartarit.” Përse Gilbrartarit?
Vlora ndodhet në një kryqëzim planesh energjitike-politike me interes global. Ekziston plani i një naftësjellësi të quajtur AMBO, i cili do të kalonte nga porti bullgar Burgas anë Detit të Zi për në Vlorë. Ky projekt me një kapacitet vjetor prej 35 miljon tonësh do të shërbente për të shmangur ngushticën e Bosforit, e mbingarkuar në mënyrë kronike, ku ka kohë që është bërë problem dendësia në rritje e supertankerave me naftë. Në euforinë për këtë projekt madhështor u parashikuan në Vlorë në fillim të dhjetëvjeçarit katër termocentralë me naftë, edhe për të shmangur mungesën kronike të energjisë që paralizon rritjen ekonomike. Qeveria e atëhershme socialiste donte të ngrinte në Vlorë një të ashtuquajtur park industrial energjitik, plotësisht në traditën e besimit të pandërprerë te përparimi.
Ndërkohë kanë ndryshuar disa gjëra. Qeveria e sotme demokratike e Sali Berishës përqafoi në fushatën e saj të vitit 2005 thirrjen e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, të krijuar në atë vit, dhe premtoi fshirjen e këtyre planeve ambicioze. Në vjeshtë të po atij viti Aleanca dorëzoi nënshkrimet e nevojshme për të mbajtur referendum mbi këtë çështje. Mirëpo KQZ e atëhershme e refuzoi referendumin. Në maj të viti 2007 qeveria Berisha e ngushtoi përdorimin e parkut të planifikuar industrial. Pavarësësht nga kjo, para tre muajsh filloi ndërtimi i një TEC-i me naftë që do të ketë afërsisht 100 megavat kapacitet. Ky projekt realizohet ndër të tjera me kredi të Bankës Botërore dhe Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, çka solli kundërshtime të forta. Kundërshtuesit i akuzojnë të dyja këto banka se kanë shkelur mbi parimet e tyre të kredidhënieve. Projekti nuk përfill vullnetin e popullsisë lokale, shkel kuadrin ligjor dhe i shkakton dëme të pariparueshme mjedisit.
Ambientalistët paralajmërojnë kundër taktikës së sallamit.
Këto akuza kundërshtohen nga Banka Botërore. Megjithatë dhënia e kredisë ka shkaktuar dallgë të forta së brendshmi; aktualisht asnjë nga përfaqësuesit e bankave nuk pranon të shprehet për këtë temë në Tiranë. Për ambientalistët rasti është i qartë: taktika e ndërtimit çisternave dhe i TEC-it krijon një precedent, i cili do të përligjë shpërfytyrimet e mëtejshme të gjirit. Ashtu siç nuk mund të flasësh më për kilometra të tërë plazhesh të virgjëra, ku dikur nuk kishte asnjë ndërtim, të mbrojtura nga brezat e pyjeve të pishave. Një logjikë e tillë do të justifikonte çdo mëkat planifikimi. E i gjithë konflikti në të vërtetë ka të bëjë vetëm me planifikime.
Lavdosh Ferruni agronom dhe ithtar i suksesshëm i Bujqësisë organike në Shqipëri, i kalon pushimet e verës gjithmonë në fshatin e origjinës pranë këtij gjiri. Ai është një nga forcat lëvizëse të Aleancës Qytetare. Na thotë se mbrojtja e mjedisit është veç një çështje dytësore në këtë qëndresë. Lufta kundër projekteve të ndryshme është një luftë për demokracinë. Pasi është e qartë se vullneti i popullit të Vlorës është shpërfillur në mënyrën më brutale. Ferruni ka të drejtë. Në qytetin port sipas vlerësimit të vëzhguesve të pavarur, shumica e njerëzve flet kundër projekteve që kanë filluar. Dhe kanë arsye të forta. Turizmi me zhvillimin industrial, sado të mira të jenë dëshirat, nuk mund të harmonizohen në këtë gji. Qyteti që ka rreth 100 mijë banorë, qysh tani tërheq në muajt e verës sa turistë vendas aq edhe kosovarë. Potenciali për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit është i madh. Ky gji, në qoftë se do të ngrihej infrastruktura e nevojshme publike, do mund të kthehej në një parajsë pushimesh të rangut të parë. Këtë përfaqësuesit vendorë të zyrave turistike dhe pronarët e tokave e dinë shumë mirë, për këtë arsye edhe e mbështesin Aleancës Qytetare.
Pëlqim për një gazsjellës
Sido që të zhvillohet Vlora, ky qytet për arsye të vendodhjes së vetë në këmbët e vargmaleve e në një gji të kufizuar, mund të zhvillohet vetëm drejt perëndimit. Por pikërisht në anën perëndimore të zonës së qytetit po ndërtohen aktualish cisternat dhe TEC-i. Çdo zhvillim industrial në këtë vend e pengon zhvillimin e qytetit, thotë Robert Klein. Ai është menaxhues projekti i kompanisë së elektricitetit EGL, që e ka selinë në Dietikon pranë Zyrihut. EGL u shfaq fort në media para pak kohësh për arsye të furnizimit me gaz nga Irani. Ky gaz ka lidhje të drejtpërdrejtë me luftën për mbrojtjen e Vlorës. Ai do të kalonte nëpërmjet gazsjellësit Transadriatik, një linjë që do të kalonte prej Selanikut në Shqipëri e prej Vlore nën ujrat e detit drejt Italisë. Ndërkohë projekti ka ndryshuar. Trajektorja e gazsjellësit kalon prej qytetit të Fierit e prej andej drejt Italisë. Me këtë u mbajt parasysh si qëndresa në Vlorë ashtu edhe një optimizim i krejt projektit.
Lavdosh Ferruni nuk i kursen lëvdatat për projektin EGL. Një TEC me gaz, përmirësimi i përdorimit të kapaciteteve hidrike dhe i burimeve të tjetra të përtëritshme të energjisë do të mjaftonin për të mbuluar nevojat energjitike të Shqipërisë për një kohë të gjatë, thotë ai i bindur. Ndërtimin e TEC-it me naftë në Vlorë, kur ke parasysh rritjen aktuale të çmimit të naftës, ai e konsideron edhe ekonomikisht si absurd. Këtë vlerësim bëjnë edhe ekspertë të energjisë. Specialistë të huaj, veç kësaj, e quajnë të pagjasa ndërtimin e naftësjellësit AMBO drejt Vlorës, pasi projekti rival i një naftësjellësit prej Burgasit drejt portit grek Aleksandropulos ka përparuar mjaft. Ndaj për Vlorën nuk ekziston aspak nevoja që gjiri t’u hapet anijeve cisternë të naftës.
“ Këtu projektohen sëmundjet për Vlorën:”, “ Duam një det pa naftë “ “Vlora do të fitojë, Referendum!”, janë disa nga parrullat që kishin vendosur veprimtarër e mjedisit për të ndaluar hyrjen në kantierin e cisternave, derisa ata u shpërndanë nga policia. Një demonstratë tjetër në fund të marsit përfundoi me arrestimin e 7 aktivistëve. Tre prej tyre ndenjën mbi një javë në burg, për shkak të bllokimit të përsëritur të qarkullimit. Një aktivist vendas i të drejtave qytetare tregon se forcat e rendit ndërhynë në mënyrë krejt të pajustifikuar, çka flet për një urdhër të Berishës.
Vlora me mjetet e mendjes
Në zyrat e Aleancës Qytetare shtohen letrat e protestës kundër këtyre metodave, siç theksohet, antidemokratike. Të gjitha letrat janë nënshkruar nga dërguesit e tyre me adresat dhe numrat e telefonave. “Na duhet ndihma nga jashtë“, thotë njëri nga aktivistët. “Shqipëria është Europë. Vlora është edhe qyteti juaj. Doni vërtet që të shkatërrohet ky gji?” Por deri tani lufta për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës thuajse nuk e ka ngjallur interesimin e organizatave të huaja për mbrojtjen e mjedisit.” E kush pyet për Shqipërinë?”, thotë njëri nga veprimtarët, ndërkohë që të tjerët heshtin. Po Hodo Kabello? Ai nuk dëshiron që të bashkohet me këtë qarje. ndaj ka disa kohë që ka ikur nga zyra. Heroi i fundit i Shqipërisë e bën luftën e tij për Vlorën me mjetet e mendjes.