E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, 750 emigrantë të kthyer gjatë një jave

 

Vetëm gjatë 24 orëve, janë kthyer 110 emigrantë. Të gjithë meshkuj dhe nga veriu i Shqipërisë

Kapshticë-Java që lamë pas ka shënuar fluks emigrantësh të kthyer nga shteti grek. Klandestinët, të favorizuar edhe nga moti, kanë shpeshtuar hyrjet e tyre në territorin e shtetit fqinj, ndërkohë që policia greke i sjell ata deri në pikën shqiptare të kalimit në juglindje të vendit, për t’ua dorëzuar autoriteteve shqiptare të policisë. Brenda 24 orëve, 110 të kthyer, kurse gjatë një javë, mbi 750 klandestinë.

***

Duke iu referuar burimeve nga policia kufitare në rrethin e Devollit në juridiksionin e të cilës gjendet dhe vendkalimi kufitar i Kapshticës, mësohet se kthimet e emigrantëve shqiptarë janë të shumta çdo ditë. “Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 110 shtetas shqiptarë, të kapur dhe të kthyer nga policia greke, pasi kanë hyrë ilegalisht në shtetin fqinj pa pasur leje qëndrimi në të”,- thonë burimet policore. Të kapurit janë sjellë gjatë paradites të djeshme në Kapshticë, ndërsa më pas ata i janë nënshtruar verifikimeve nga policia shqiptare, për të evituar depërtimin mes tyre të personave të shpallur në kërkim. Sipas burimeve policore mësohet se të gjithë klandestinët janë kapur në zonat në afërsi të kufirit në zonën e Follorinës, Kosturit dhe Kozanit. “Të gjithë personat që janë kthyer së fundi i përkasin seksit mashkull dhe vijnë nga zonat veriore të vendit”,- sqarojnë të njëjtat burime. Duke iu referuar të njëjtave burime të policisë kufitare saktësohet gjithashtu se vetëm gjatë kësaj jave janë kthyer nga policia greke plot 750 klandestinë, të cilët hyjnë në shtetin grek duke kaluar ilegalisht kufirin nëpërmjet rrethit të Devollit.

***

Për fat të mirë, në asnjë rast nuk janë regjistruar keqtrajtime, ndërkohë që ky është dhe numri më i madh i deportivëve të javëve të fundit në Kapshticë. Kthimi i klandestinëve është i hershëm në pikën juglindore që lidh Shqipërinë me Greqinë, ndërsa pas përmirësimit të kushteve klimaterike të motit janë rishfaqur sërish karvanët e gjatë të klandestinëve, të cilët marrin rrugën e gjatë të emigracionit në emër të një jete më të mirë. Policia shqiptare në rrethin e Devollit, por dhe atë të Kolonjës në qarkun e Korçës ka shtuar masat e sigurisë përgjatë vijës kufitare, që ndan dhe bashkon dy shtetet. Dihet tashmë se terreni i thyer malor bëhet më i preferuari për grupet e refugjatëve, të cilët i shpëtojnë syrit të policisë kufitare shqiptare, por dhe asaj greke, duke depërtuar deri në thellësi të territorit të shtetit fqinj. Por duket se më pas aventura e tyre mbyllet shpejt, pasi klandestinët bien në grackën e policisë së huaj, e cila pasi i grumbullon në policitë fqinjë jo shumë larg kufirit pas shoqërimit të tyre për një ditë ose dhe dy, i shoqëron deri në tokën shqiptare, duke i dorëzuar zyrtarisht me lista emërore autoriteteve policore të Kapshticës.

Të rinjtë shqiptarë kalojnë ilegalisht kufirin, ndërsa tentojnë të sigurojnë punësim, por duke mos pasur asnjë leje qëndrimi për në këtë shtet. Të njëjtat burime bëjnë të ditur gjithashtu se do të nisë një tjetër plan strategjik për ndalimin e këtyre klandestinëve që në tentativën e tyre në Shqipëri, për të mos shpenzuar policitë e dy vendeve në kërkim të tyre me forca të shumta policore dhe mjete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›