E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDERKOMBETARE/ Erë e trazuar drejt Lindjes

Cili vend do të jetë i ardhshmi pas Islandës? Rënia dramatike e ekonomisë së vendit nordik e ka përqendruar vëmendjen ndërkombëtare te zona të tjera të rrezikuara dhe të errëta të sistemit financiar. 

Stabiliteti i monedhës ukrainase “hryvnia”, sistemi problematik bankar kazak dhe huamarrësit hungarezë, janë subjekte të shqetësimeve të politikëbërësve të ekonomisë. Ukraina njoftoi dje se FMN-ja do t’i jepte një borxh prej 14 miliardë dollarësh. FMN-ja nuk e ka konfirmuar ende një gjë të tillë. Natyrisht, paratë dhe sigurimet e jashtme do të ishin të mirëpritura: ‘Prominvest’, banka e gjashtë më e madhe e vendit, pësoi një rënie mes spekulimeve se ishte në vështirësi financiare dhe kishte gjasa të dilte në shitje. Më parë, monedha kombëtare “hryvnia” pësoi gjithashtu një rënie të dukshme në krahasim me dollarin. Edhe tregu i aksioneve ka rënë me 80 për qind këtë vit. Inflacioni në Ukrainë ka arritur në nivel alarmant prej 25 për qind. Shifra të tilla nuk janë të pazakonta për ekonomitë e Europës Lindore. Por ato theksojnë problemet me të cilat përballen tregjet në zhvillim në periudha trazirash financiare.
Ato janë të brishta pikërisht sepse tentojnë të kenë mungesë balancash: ato i varin shpresat te nivelet e larta të investimeve të huaja, që do të thotë se kanë deficite të mëdha buxhetore.
Së dyti, janë në vështirësi, sepse nuk mund të financojnë vetë shitjen e bankave. FMN-ja është një mënyrë për ta zgjidhur këtë.
Rregullat e tyre lejojnë dhënien e huave deri në një shumë që është sa një e pesta e kuotës së vendit: shuma që depozitohet kur një vend bëhet anëtar i organizmit. Por rregullat mund të zbuten disi në kohë krize. Një tjetër burim është Banka Qendrore Europiane. Ajo ka dhënë një fond prej 6.7 miliardë dollarësh për Hungarinë, që nuk është anëtare e eurozonës, por ka një ekonomi të lidhur ngushtë me të. FMN-ja po pret për të qenë gati për një hua më të madhe nëse është e nevojshme si dhe për një ndihmesë në politikat ekonomike të qeverisë. Edhe pse më e pasur se Ukraina, me GDP për person prej katër herësh më të lartë, Hungaria është edhe më e brishtë sesa Ukraina, për shkak të borxhit të saj të jashtëm mjaft të lartë. Huadhëniet publike arrijnë deri në 60 për qind të GDP-së. Kjo është pjesërisht për shkak të ligjshmërisë së huadhënies në masë të madhe të mbetur si relike e komunizmit, por edhe luhatshmërisë së madhe politike që prej asaj kohe.
Në vitin 2006, deficiti buxhetor arriti në 9 për qind të të ardhurave kombëtare. Një tjetër shqetësim është se shumë hungarezë kanë marrë kredi për shumë arsye, ndërsa raporti i monedhës kombëtare, forintës me dollarin nuk është shumë i stabilizuar. Një tjetër çështje e mprehtë është se deri ku do të arrijë kjo krizë dhe si do ta përballojnë atë vendet e Lindjes. Në shumicën e anëtareve të reja, të vogla të Bashkimit Europian, të huajt kanë në dorë sistemet bankare. Nëse kreditimi i tyre shkon keq, aksionerët duhet të tërhiqen. E çfarë ndodh nëse ndonjë nga këto banka është aktualisht në vështirësi? Askush nuk e di. Ndoshta, banka do të shesë ndonjë degë diku tjetër, ndoshta në Rusi. Por, edhe nëse kjo perspektivë nuk është shumë eventuale, ajo do të nevrikosë vendet e Baltikut. Para krizës, Hungaria kishte shfaqur shenja stabilizimi, falë një programi ekonomik autoritar. Ngjarjet e fundit e kanë vendosur atë në vështirësi. Kjo e vë edhe më në dukje problemin e vendeve ish-komuniste: politikën e dobët. Liderët e kanë të vështirë të qeverisin edhe kur kohët janë të mira. Nëse investitorët e huaj tërhiqen dhe rritja ekonomike ngadalësohet, qeverisja efektive bëhet edhe më e vështirë.
“The Economist”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›