E Diel, 1 Nëntor 2026

NDERKOMBETARE/ Avantazhi i MecCain në Shqipëri

Obama do të ishte fituesi i qartë i zgjedhjeve amerikane, nëse ato do të zhvilloheshin në Europë. Por në Shqipërinë e vogël, fituesi ndoshta do të ishte MecCain. 

Shqiptarët tentojnë t’i shohin të dy kandidatët nëpërmjet lenteve të dyfishta të mbështetjes për pavarësinë e Kosovës dhe ndihmës për integrimin e Shqipërisë në institucionet perëndimore.Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në muajin shkurt, por përpjekja e saj për legjitimitet është ende shumë larg arritjes së suksesit përfundimtar. Qeveria e Shqipërisë ka garantuar mbështetje të fortë për Kosovën. Në këtë kuadër, reputacioni i Mekkein, historia e tij e mbështetjes së shqiptarëve, veçanërisht mbështetja për bombardimin e Beogradit në vitin ‘99, e bën atë të duket një kandidat që siguron se Kosova do të mbetet e pavarur.
Panorama politike e komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Amerikë, është një tjetër tregues për këtë garë hipotetike. Ish- kongresmeni republikan, Joe DioGuardi, që ka rrënjë shqiptare, është themeluesi i Lidhjes Qytetare Shqiptare dhe ka qenë për shumë kohë zëri më i dëgjuar i diasporës. Ai nuk e fsheh mbështetjen e tij për fushatën e Mekkein. Ndërkohë, kongresmeni demokrat, Eliot Engel është bërë një avokat i fortë i çështjeve shqiptare. Ai mbështet Obamën. Gjithsesi, jo vetëm që DioGuardi ka një rrjet të fortë mes votuesve shqiptaro-amerikanë, por Obama ka edhe vështirësi në tejkalimin e imazhit të tij si një politikan i butë mes njerëzve që duan një njeri me staturë më të vendosur politike në Shtëpinë e Bardhë për të kundërshtuar Serbinë dhe Rusinë lidhur me Kosovën. Përveç mbështetjes për shqiptarët në Kosovë, Mekkein konsiderohet si një kandidat më i mirë për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në institucionet perëndimore. Nën administratën republikane, Shqipëria mori një ftesë për anëtarësimin në NATO në prill dhe Mekkein ishte një nga zërat në Senat që kishte bërë thirrje për “rilindjen” e NATO-s, përfshi këtu edhe zgjerimin e saj me Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Natyrisht kishte shumë demokratë që iu përgjigjën thirrjes, por Obama nuk ka qenë asnjëherë aq i hapur për këtë çështje, deri kur Shqipëria mori ftesën për anëtarësim.
Gjithashtu, afiniteti i Shqipërisë për Bill Klinton do të kishte marrë kuptim nëse Hillari do të fitonte kandidaturën, por shumë shqiptarë u mërzitën me shmangien e saj nga gara.
Karakterizimi i të mos qenit mbështetës për Shqipërinë, ndoshta nuk është i drejtë për Obamën, por ai ka lidhje me deklaratat e tij në fushatë: “Serbia dhe populli i saj kanë vuajtur shumë në dy dekadat e fundit”. Kjo u interpretua në median shqiptare si një koment “pro-serb”. Ideja është që, nëse dikush është “pro-serb”, duhet të jetë anti-shqiptar. Binome të tilla shumë të përhapura në politikën ballkanike, janë të mjaftueshme për të nxitur shumë shqiptarë të mendojnë se Obama mund të mos jetë aq përkrahës i çështjes së tyre sa do të ishte Mekkein. Në mënyrë të ngjashme, guvernatori i Ilinoisit, Rod Blagojeviç, një serbo-amerikan që ka qenë kongresmen në vitet ’90 e kundërshtoi bombardimin e Serbisë, mund ta ketë dobësuar mbështetjen e Obamës nga shqiptarët, pasi ai e përkrahu atë së fundmi. Obama është përpjekur së fundmi të forcojë kredencialet e tij pro shqiptare, duke bërë deklarata në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës dhe duke e mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO. Por, dëmi ishte bërë. Në mënyrë thelbësore, të dy partitë dhe kandidatët e tyre kanë të njëjtat pikëpamje në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës dhe inkurajimit të integrimit të Shqipërisë në institucionet euro-atlantike. Por, për shqiptarët nuk është e rëndësishme vetëm ajo që thonë kandidatët, por edhe forca e saj. Nëse i pyet shqiptarët, ata të thonë se e duan njësoj Bill Klinton dhe Xhorxh W. Bush – të parin për fushatën kundër spastrimit etnik në Kosovë, të dytin për udhëheqjen e tij në mbrojtje të shtetit të pavarur të Kosovës. Duke pasur parasysh tërheqjen ndaj Amerikës, ata do të ndiqnin në çdo betejë presidentin e ri amerikan, republikan apo demokrat qoftë ai, siç bënë me operacionet në Irak dhe Afganistan. Por, nëse shumica e evropianëve janë të lodhur me një skifter në Shtëpinë e Bardhë, pak ashpërsi në qëndrime do t’u shkonte më për shtat shqiptarëve.

“The Washington Post”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›