E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kollitja në Wall Street i jep dridhmat Harlemit

Pas 38 ditësh udhëtimi nëpër të gjithë Amerikën, nga Kalifornia në Nju Jork, autobusi i BBC-së u ndal në ditën e fundit në lagjen Harlem.

Balerinët e rinj të kësaj shkolle, një përzierje studentësh nga e gjithë bota dhe Amerika, një shumicë nga vetë komuniteti i Harlemit, kërcejnë plot hir nën tingujt e pianos.

Trupa e baletit e kësaj shkolle është mjaft e njohur në Amerikë dhe në botë, me turne te suksesshëm në Evropë, Azi e kontinentin amerikan.

Kjo shkollë është një shembull konkret se si kriza e tanishme financiare dhe ekonomike që ka përfshirë Amerikën, po ndikon tek jeta dhe karriera e njerëzve, e tashmja dhe e ardhmja e tyre.

Në mesin e drejtuesve dhe studentëve të shkollës ka një ndjenjë shqetësimi që vjen drejtpërdrejt si rezultat i krizës së tanishme financiare.

Drejtori i shkollës, Laveen Naidu, thotë se shumica e suksesit të tyre bazohet në fondet që ata marrin nga Wall Street, nga bankat e korporatat e ndryshme, dhe një pjesë e konsiderueshme vjen nga bonuset që marrin nga bankierët e tregtarët.

“Ne presim që të ndiejmë pasojat e asaj që po ndodh, është shumë e vështirë për ne që të themi çfarë pjese e këtyre fondeve do të vijnë apo jo këtë vit”, - thotë zoti Naidu.

Ai është i shqetësuar se kriza financiare do të zvogëlojë ardhjen e fondeve që i nevojiten aq shumë shkollës.

Nga rreth 500 nxënës që ka shkolla çdo vit, mbi 70 për qind e tyre janë me bursa dhe ndihmë për mësimdhënien.

“Rreziku më i madh mund të jetë më afatgjatë, sepse në këtë komunitet shumica e familjeve nuk kanë para për të paguar për këtë trajnim të klasit botëror, kështu që familjet varen nga ndihma e shkollës dhe, e dyta, familjet varen që fëmijët të vijnë këtu pas shkolle”, - thotë zoti Naidu.

Shumë nga familjet, sidomos në Harlem, as nuk do ta konsideronin si opsion për fëmijët e tyre ardhjen në këtë shkollë.

Ato kanë kaq shumë përparësi të tjera, thjesht sigurimi i ushqimit është një përparësi, sidomos për këtë lagje.

“Kostoja mesatare për mësimdhënien është rreth 6 mijë dollarë në vit, por kjo nuk përfshin këpucët e kërcimit që janë rreth 80 dollarë pala dhe këta nxënës shpenzojnë minimumi dy palë në javë”, - thotë drejtor Naidu.

“Për këto gjëra i mbledhim paratë për të mbështetur kërcimtarët”.

Varësia nga bursat

Marrja e bursës është gati një domosdoshmëri për të ndjekur këtë shkollë dhe, si rrjedhim, një karrierë në nivelin më të lartë të kërcimit në botë.

“Kufizimi i bursave do të jetë shumë i vështirë, sepse do të ketë më shumë konkurrencë për të marrë një bursë, duhet të japësh gjithnjë më të mirën dhe të luftosh për këtë”, - thotë Ashley, një nga balerinat e shkollës.

Panika, një tjetër balerinë, thotë se bursa bëri të mundur që ajo të ndiqte shkollën.

“Nëse nuk do të kisha bursë, do të më duhej të punoja për të paguar mësimin dhe kjo nuk do të kishte qenë e mundur të bëhej”, - thotë Panika.

Samuel Wilson, njëri prej kërcimtarëve të rinj të trupës së baletit të shkollës së kërcimit të Harlemit, është i përgatitur psikologjikisht për një karrierë të vështirë.

“Të qenit kërcimtar është pak si të jesh në teh të briskut, gjithnjë je i shqetësuar nëse do të kesh paratë që të duhen”, - thotë Samueli.

“Ne duhet të shkojmë në turne për 10 javë për të mbledhur fonde, por edhe për të bërë të njohur emrin tonë. Unë nuk e di se sa vetë do të jenë të gatshëm të investojnë tek ne për shkak të krizës së tanishme ekonomike”, - thotë Samueli.

“Kjo më bën të jem i frikësuar për të ardhmen, sepse e di që jemi ende në vështirësi dhe jo domosdoshmërisht e kemi gjetur drejtimin e duhur”, - thotë ai.

Ndalimi i financimeve do të jetë problem jo vetëm për shkollën, por edhe për komunitetin, ku kjo shkollë jep një ndihmesë të rëndësishme, sidomos në rajonet e varfra.

“Nëse nuk ka fonde që unë të shkoj të jap mësime në shkollat e komunitetit, ky është një problem i madh për mua”, - thotë Anthony, një prej kërcimtarëve më me përvojë të shkollës, që jep mësim për fëmijët e shkollave të lagjes Harlem.

Një nga objektivat e shkollës, sipas drejtorit Naidu, është që t’u ofrojnë një mundësi, sidomos atyre që nuk kanë para, për ta gjetur talentin e tyre dhe pse jo, të bëhen yje të skenës botërore.

Kriza në Wall Street lidhet me tregjet financiare, bursat e aksioneve, por shqetësimet reale në këtë shkollë të financuar kryesisht me para donacionesh nga institucionet financiare, tregon se si mund të ndikojë apo po ndikon ajo krizë tek njerëzit e thjeshtë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›