E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënkoll, i dënuari për vrasje, 3 ditë grevë urie

LEZHE - Që prej 3 ditësh, i burgosuri në burgun e Shënkollit të Lezhës ka nisur grevën e urisë duke mos pranuar konsumimin e ushqimit. Xhevit Morina nga fshati Pus i Thatë i rrethit të Hasit, i cili është dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të “vrasjes” refuzon të ushqehet pas refuzimit të kërkesës drejtuar drejtorisë së burgut Shënkoll.

Në shkresën e tij kërkonte leje për t’u paraqitur para noterit publik në Has për të lëshuar një deklaratë në prezencë edhe të bashkëshortes së tij ku të pranonte që djali i tij i mitur të pajiset me pasaportë biometrike me qëllim udhëtim jashtë vendit me të shoqen e Xhevitit.

Pas refuzimit dhe në pamundësi të dhënies së kësaj deklarate duke lënë kështu edhe të birin e vogël pa pasaportë, ai më datën 13 korrik 2012 në shenjë proteste është futur në grevë urie. Nga ana tjetër, drejtoria e burgut të Shënkollit e ka argumentuar përgjigjen negative si kosto të madhe fizike dhe ekonomike. I burgosuri në fjalë jo vetëm që do të dalë jashtë mureve të burgut çka përbën rrezikshmëri arratisjeje por edhe do të transportohet drejt Hasit. Kjo pasi në kërkesë ai është shprehur se familja e tij është e ngujuar, pas krimit që ai ka kryer dhe ky transport do të përbënte një kosto ekonomike relativisht të madhe për institucionin.

I pyetur nga GSH, Av. Plarent Ndreca është shprehur “Në rastin se fëmija është i mitur, detyrimisht duhet deklarata e të dy prindërve për të lejuar pajisjen e tij me pasaportë dhe njëkohësisht lëvizjen e tij jashtë vendit”. Ndërsa i pyetur për përgjigjen negative nga ana e e Drejtorisë së Burgut ai ka pohuar “Të gjithë të burgosurit kanë të drejta civile të cilat në disa raste janë të sanksionuara nga Kushtetuta e në disa të tjera nga Konventat Ndërkombëtare të ratifikuara nga Parlamenti i vendit. Kërkesa e të burgosurit në fjalë është normale, civile dhe e pranueshme”.

Xhevit Morina është arrestuar me 18 Shtator 2009, nën akuzën e “vrasjes” me armë të kushëririt të tij, Besim Morina. Ai është arrestuar në fshatin e tij të lindjes pas shumë kohësh që i fshihej drejtësisë. Me 7 shkurt të vitit 2008 rreth orës 20:00 në fshatin Pus i Thatë të rrethit të Hasit, 3 druvarë, kushërinj mes tyre, u grindën për shkaqe pronësie, sherr i cili përfundoi me vrasjen e adoleshentit 17-vjeçar Besim Morina. Hetimet treguan se vrasjen e kishte kryer Xhevit Morina, i ndihmuar edhe nga një person tjetër. Aktualisht ai është dënuar për këtë krim të kryer me 25 vite burg, dënim që ka nisur që në momentin e arrestimit nga policia dhe që po vuhet në institucionin penitenciar (burg) të Shënkollit në Lezhë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›