E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të bësh shopping në kohë krize

TIRANE - Duket vërtet të jetë një problem që u takon pothuajse të gjitha femrave: Gjendemi duke “kruajtur xhepat” në mes të muajit, edhe pse pa bërë shpenzime të çmendura dhe pa harxhuar shuma të mëdha për shopping dhe argëtime. Por kjo periudhë është e trishtueshme dhe me siguri nuk mund të bëjmë si vitet e shkuara kur nuk ngopeshim duke blerë dhe bënim shopping pa fund, edhe pse nuk ishte e nevojshme. Por tashmë duhet të frenohemi, duke bërë llogaritë dhe duke blerë gjëra që vërtet na nevojiten. Është pikërisht ky motiv që na shtyu t’iu jepnim disa sugjerime të vogla se si të kursejmë në këto kohë krizash. Nuk mund të bëni pa shopping? Dëshironi të jeni trendy dhe elegante, edhe pse me pak shpenzime? Tregoni pak vëmendje dhe lexoni 10 këshilla, për ato që nuk duan të heqin dorë nga shopping-u, edhe pse në kohë krize.
1- Blini vetëm gjërat që iu pëlqejnë vërtet
Askujt nga ne nuk i pëlqen ta pyesësh: A të duhet vërtet? Moda është mbi të gjitha një luks dhe një blerje e re duhet të na japë një sens të të ndjerit mirë, duhet të jetë një ‘extra’ me të cilën të krenohemi. Është si ëmbëlsira mbas darkës. Nuk ke më uri, por ëmbëlsira është diçka më shumë, dhe e shijshme. Mbi të gjitha, një gjë plus duhet të jetë diçka absolutisht e mirë. Kështu që edhe gjatë shopping-ut, na duhet të pyesim veten: A na pëlqen vërtet? Blini vetëm gjëra që janë vërtet të vlefshme për t’u shtuar në gardërobën tuaj. Gjëra që bien në sy, gjëra të veçanta dhe mbi të gjitha, gjëra që nuk i ngjajnë rrobave të tjera në dollapin tuaj.
2- Fitoni kohë
Mos shkoni direkt tek blerja e rrobave, por fitoni kohë për t’u menduar. Akoma më mirë, nëse ktheheni të nesërmen, mbas një nate të tërë mendimi mbi to. Kështu do të keni rastin për të kuptuar se si mos ta bëni këtë gjë primare për ju, si të përshtateni. Do të vini re se në shumë raste as nuk do të ktheheni për t’i blerë ato që “ëndërronit”, sepse në fund të fundit ndoshta nuk ishin vërtet ato që po kërkonit.
3- Shopping për të krijuar disa ide
Pse mos të shkoni të bëni një xhiro nëpër dyqane vetëm për të krijuar një ide? Të bësh shopping pa portofol, është gjëja më e mirë. Studioni ato që shikoni në vitrinat e dyqaneve. Studioni madje edhe klientët e tjerë dhe mënyrën e tyre të të blerit të gjërave. Pastaj kthehuni në shtëpi, hapni dollapin dhe përpiquni të kombinoni veshjet në bazë të asaj që keni parë në dyqane. Ndonjëherë ju ndodh të keni në shtëpi gjithçka që ju nevojitet.
4- Outlet dhe dyqane me çmim të ulta
Ka gjithmonë e më shumë dyqane me ulje çmimesh, ku mund të gjeni veshje firmato me çmime të përballueshme. Nëse jeni vërtet ‘viktima’ të markave, atëherë do të jetë parajsa për ju. Por kujdes! Mos rrezikoni që të shpenzoni më shumë se ç’keni në mendje. Jini kritike dhe mos e lini veten të hutoheni nga entuziazmi që mund t’iu japë gjetja e gjithë atyre firmave të kombinuara. Edhe këtu është e rëndësishme të mos bëni blerje impulsive. Për disa momente shkoni dhe pini një kafe, dhe ndërkohë mendohuni.
5- Koleksionet për “fashionistet në kohë krize”
Informohuni nëse markat tuaja të preferuara kanë një linjë për “fashionistet në kohë krize”, pra në qoftë se kanë një pikë tjetër shitjeje, me çmime më të lira.
6- Ide të qarta
Për të mos shpenzuar shumë, gjëja më e mirë është të shkosh të bësh shopping me ide të qarta. Shkruani blerjet që doni të bëni (një fustan, një këmishë të bardhë, një palë sandale, etj.) dhe vendosni se cila nga blerjet ju duhet më shumë. Më pas shkoni të bëni një xhiro në dyqane duke u përqendruar vetëm tek gjërat që keni në mendje dhe mos e lini veten të hutoheni nga veshjet e tjera, që edhe pse mund të jenë të vlefshme, nuk ju nevojiten.
7- Më shumë kohë për shopping
Nëse më parë blinit gjithçka në butikun tuaj të preferuar, tani ka ardhur koha të hidhni edhe një sy përreth. Hyni në dyqane dhe butikë ku nuk keni qenë ndonjëherë. Krahasoni çmimet dhe cilësinë. Kërkimi për gjëra të veçanta dhe çmime të përballueshme mund të kërkojë kohë, por edhe mund të japë rezultate të mira dhe shumë kënaqësi (madje edhe për portofolin).
8- Gjërat e veçanta
I lini pas gjërat që janë shumë në tendencë ose të ashtuquajturat “duhet t’i kem”. Tashmë ekziston një tendencë për të vlerësuar gjërat unike, personale dhe speciale. Gjëra që nuk duhet medoemos të kushtojnë shumë, por që kanë një domethënie të veçantë për ju. Avantazhi?? Ju sigurojmë që këto lloj rrobash nuk do të jenë jashtë mode për dy muaj.
Dhe së fundmi, dy këshilla që nuk kanë të bëjnë aq shumë me shopping-un, sesa me buxhetin e ulët:
9- Rizbulimi i gjërave që mund t’i bësh vetë
Pse mos t’i bëni vetë gjërat që ju ëndërroni? Janë kthyer madje në modë punimet me thurje. Rimerrni një gjilpërë dhe fije (nëse jeni akoma në gjendje), pasi, të modifikoni rrobat tuaja, kushton relativisht shumë pak. Ndonjëherë mjafton vetëm të ndryshoni një jakë; aplikoni një jakë prej pelushi të peliçeve ose hiqjani mëngët xhaketave për të qëndruar me stil dhe në modë. Në qoftë se nuk jeni në gjendje ta bëni me gjilpërë dhe fije, atëherë mjafton t’i drejtoheni rrobaqepësit të lagjes.
10- Të kujdeseni për gardërobën tuaj
Kujdesuni për rrobat tuaja në mënyrë që t’iu “rrojnë” më shumë. Ja disa këshilla:
-Jini të kujdesshme me çantat dhe rripat me kopsa metalike që mund të dëmtojnë materialin e rrobave tuaja. Mbuloni rripat me një ngjitës për të evituar që të kapin fije dhe mundohuni t’i mbani çantat në dorë dhe jo t’i hidhni në krahë (për të evituar fërkimin me rrobat dhe xhaketat).
-Jini të kujdesshme me njollat.
-Lërini rrobat që të marrin ajër. Mos i fusni direkt në dollap mbasi i keni veshur.
-Nuk mund të themi që mos i lani, por është e nevojshme që të keni parasysh që larjet e shpeshta nuk i bëjnë mirë pjesës më të madhe të rrobave tuaja.
-Kontrollojeni dollapin rregullisht, mbi të gjitha për sa i përket lagështirës dhe pranisë së insekteve. Do të ishte një fatkeqësi të nxirrnit jashtë, në fillim të dimrit, xhaketën tuaj të preferuar dhe ta shihnit të mbushur plot me vrima që ju “buzëqeshin”. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›