Shënohet 16 vjetori i masakrës së Srebrenicës

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari u shënua 16-vjetori i masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë rreth 8 mijë djem dhe burra boshnjakë.
Njëmbëdhjetëvjeçari Nesim Muhic është viktima më e re nga 613 të tilla, që u varrosen sot në Potoçari.
Drejtori i Qendrës Përkujtimore Potoçari, Mersed Smajlovic, ka thënë se deri më tash në këtë kompleks janë varrosur 4.524 viktima.
Në lokacione tjera janë varrosur 188 viktima.
Kjo bën që në përvjetorin e 16-të të identifikuar dhe të varrosur të jenë 5.325 viktima të masakrës së Srebrenicës.
Sipas të dhënave zyrtare, në listën e të pagjeturve, që nga qershori i vitit 1995, figurojnë edhe më tej 3.040 persona.
Këtë vit është mbajtur edhe marshi tradicional, “Marshi i Paqes, në të cilin më shumë se 6 mijë njerëz nga tërë bota kanë kaluar në rrugën në të cilën në vitin 1995 boshnjakët e Srebrenicës ikën dhe kërkuan shpëtimin nga granatat e ushtrisë së Republikës Serbe.
Masakra e Srebrenicës njihet si gjenocidi më i rëndë në Evropë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.