E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Do të mbështesim komunën e Graçanicës

Nga Express më 28 mars 2011 në ora 19:27

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe Sllobodan Petroviç e kanë vizituar të hënën komunën e Graçanicës, me ç’rast janë njoftuar me të arriturat e kësaj komune dhe kanë premtuar mbështetje për zgjidhjen e sfidave e problemeve me të cilat ballafaqohet kjo komunë e re, e cila është me shumicë serbe.

Me këtë rast zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është shprehur i kënaqur me të arriturat që kanë ndodhur në komunën e re të Graçanicës dhe ka dhënë zotimet për të mbështetur me projekte të shumta që Graçanica të jetë edhe më funksionale për qytetarët e saj.

“Kishim për synim që së bashkë me zëvendëskryeministrin Petroviç të vizitojmë komunën e Graçanicës. Kjo vizitë kishte dy qëllime kryesore, e para ishte që t’i shohim të arriturat që kanë ndodhur në këtë komunë dhe të japim mbështetje të fortë për funksionalizimin e kësaj komune në të mirën e qytetareve. Jemi të impresionuar me aktivitetet dhe angazhimet që kanë qenë në vitin 2010. Graçanica është një komunë funksionale ku qytetarët e ndjejnë vetën mirë dhe çdo ditë e më shumë ata i ndjejnë edhe të arriturat që i bënë komuna, kryetari i saj, por në tërësi edhe Qeveria e Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe njëherit ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç, i ka premtuar kreut të Graçanicës se do të angazhohet në zgjidhjen e problemit me energji elektrike për disa fshatra të kësaj komune, që për një kohë kishin mbetur pa energji elektrike.

“Së bashku do ta zgjedhim problemin e energjisë elektrike që është paraqitur kohët e fundit në disa fshatra që bëjnë pjesë në komunën e Gracanicës”, tha Petroviç.

Kurse kryetari i komunës së re të Graçanicës, Bojan Stojanoviç është shprehur mirënjohës ndaj dy zv.kryeministrave dhe ministrave për vizitën që i bënë komunës që ai drejton.

“Jam shumë i kënaqur me vizitën e dy zëvendëskryeministrave. Jam shumë i kënaqur që e përcjellin punën tonë, që së bashku të zgjidhim problemet e qytetarëve. Ju dëshiroj mirëseardhje dhe ju jemi mirënjohës që keni ardhur te miku si zyrtarisht dhe privatisht urdhëroni si në shtëpinë tuaj”, është shprehur Stojanoviç.

Ndërkohë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe Sllobodan Petroviç kanë vizituar edhe Zyrën Ndërlidhëse për Gjykata në Graqanicë./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›