E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dheu bllokon hekurudhën në gjatësi prej 100 metra

Nga Express më 28 mars 2011 në ora 19:32

Moti i ligë dhe reshjet që kanë ndodhur kohëve të fundit, si dhe mbeturinat e hedhura nga prishja e shtëpive kanë ndikuar në rrëshqitjen e dheut në afërsi të tunelit në hyrje të Mitrovicës, të dielën mbrëma, duke bllokuar hekurudhën në një gjatësi prej 100 metra dhe gjerësi rreth 20 metra.

Drejtori për Shpëtim dhe Emergjenca në Mitrovicë, Behxhet Bala ka kërkuar ndihmën e njësisë së zjarrfikësve dhe Drejtorisë së Urbanizimit për të analizuar situatën e krijuar dhe njëherit për të ndërmarrë masat për shpëtim.

“Për shkak të kanalizimeve ilegale të disa qytetarëve, uzurpimeve të pronave, gjegjësisht zgjerimit të tyre nga qytetarët të lagjes “Bair” dhe hedhjes pa kontroll të mbeturinave nga shtëpitë e shkatërruara ka ardhur deri te rrëshqitja e një mase të madhe të dheut e cila përveç bllokimit të hekurudhës, është sinjal alarmi edhe për disa shtëpi”, tha Bala.

Sipas tij, masa e dheut në të cilën ka intervenuar njësia e zjarrfikësve është në gjatësi rreth 100 metra dhe gjerësi mbi 20 metra.

Ai shtoi se gjatë punës mbrëmë dhe sot është arritur të zhbllokohet hekurudha dhe të bëhet e kalueshme pasi është larguar një sasi e dheut, ndërkohë që ditët në vijim bashkë me punëtorët e hekurudhës duhet të punohet në largimin e kësaj mase të dheut.

Bala ka kërkuar që qytetarët duhet të vetëdijesohen që të lidhen me kanalizimin në mënyrën legale dhe jo të rrezikojnë qytetarët tjerë.

Në vendin e ngjarjes mbrëmë, përveç drejtuesve të Drejtorisë për Shpëtim dhe Emergjencë dhe të Urbanizmit në Mitrovicë, të cilët kanë analizuar nivelin e rrezikshmërisë dhe do të përcaktojnë masat që duhet ndërmarrë për krijimin e sigurisë së qytetarëve dhe evitimin e vazhdimit të rrëshqitjes, prezentë ishin edhe policia dhe njësia e zjarrfikësve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›