Do bëjmë ç’është e mundur që në 2017-ën Shqipëria të jetë vend i zhvilluar
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli prezanton kandidatët e mazhorancës në komunat Blinisht, Kallmet, Dajç dhe Gjadër
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte në Blinisht të Lezhës, ku shprehu mbështetje për kryetarin aktual të komunës, Jak Zhupa i cili kandidon për mandatin e dytë.
Kryeparlamentarja Topalli njëkohësisht edhe nënkryetarja e partisë Demokratike, gjatë fjalës së saj në Blinisht tha se në mandatin e ardhshëm, qeveria do të trefishojë investimet në këtë zonë, që do të përfshijnë ndërtimin e kanaleve vaditëse, ujësjellësit, si dhe asfaltimin e çdo segmenti rrugor, jo vetëm në fshatrat e kësaj komune, por dhe çdo komune tjetër në Shqipëri. Më tej kryeparlamentarja Topalli tha se prioritet i parë i këtyre zonave, duhet të jetë bujqësia.“Shqipëria është një vend bujqësor, bujqësia është një ndër fushat që na jep një tjetër shans për të vazhduar me rritjen ekonomike, të cilën ne e kemi realizuar dhe gjatë kësaj periudhe dhe për të cilën ne krenohemi. Ne kemi detyrim të subvencionojmë vreshtat, ullinj dhe pemë të ndryshme për ta bërë këtë zonë një bahçe, një pemëtore të jashtëzakonshme. Sepse toka është e mirë, rruga, infrastruktura është shumë e mirë, mënyra e transportit, tregtia me ta do të sjellë mirëqenien dhe zhvillimin e zonës”- u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Kryetarja e Kuvendi në vijim të takimeve elektorale për zgjedhjet e 8 majit prezantoi në Kallmet të Lezhës për të mbështetur kandidatin për Kryetar Bashkie të Koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Petrit Marku. Kryetarja e kuvendit, Topalli në fjalën e saj tha se në mandatin e kaluar në këtë komunë janë shtruar 18 kilometra rrugë, ndërkohë që në fshatrat e Lezhës janë disa dhjetëra milionë euro të investuara. “Unë ju premtoj se, qeveria qendrore do t’i akordojë komunës tuaj financime që asaj i duhen për të pasur një ujësjellës në mënyrë që të keni ujë në shtëpitë tuaja. Mbajeni shënim, unë në krye të katër viteve do të jem përsëri këtu dhe ju do të shihni se ne e kemi mbajtur fjalën”- u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Po dje, kryetarja e Kuvendit ishte e pranishme në komunën Dajç dhe Gjadër për të mbështetur kandidatin e Partisë Demokratike dhe të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Gjergj Doçin. “E përsëris se bashkë me qeverisjen lokale, qeverisja qendrore mund të bëjë të mundur që në 2017-ën Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar,” theksoi kryetarja e kuvendit Topalli. Nënkryetarja e PD-së, Topalli tha më tej se projekti dhe vizioni i kandidatit Gjergj Doçi, me mbështetjen e mazhorancës dhe të Qeverisë do të bëjë të mundur që brenda një kohe të shkurtër, Dajçi e Gjadri të jetë një komunë e zhvilluar dhe të garantojë një mirëqenie më të lartë për të gjithë banorët.