Shërbimet dimërore-Nis procesi i krasitjes në Korçë, mbillen edhe pemë dekorative

Në qytetin e Korçës po kryhet krasitja e pemëve me qëllim lirimin e fushëpamjes për drejtuesit e automjeteve dhe në mënyrë që sinjalistika rrugore të jetë më e dukshme.
Burime pranë kësaj ndërmarrje bëjnë me dije se puna do të vijojë sipas një grafiku të përcaktuar për çdo rrugë në qytetit, ndërsa do të krasiten rreth 2 mijë pemë.
Procesi parashikohet të zgjasë deri në fund të muajit mars. Paralelisht, kjo ndërmarrje po punon edhe për shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara me mbjelljen e pemëve të reja.
Puna ka nisur nga lagjia 4 tek rruga “Stavri Shkurti” e cila u asfaltua gjatë muajve të verës dhe tani po plotësohet me pemë dekorative.
Po të njejtat burime bëjnë të ditur se është parashikuar të mbillen 120 pemë në këtë rrugë, ndërsa në gjithë qytetin rreth 1 mijë pemë të llojeve rrap, panjë e gështenjë.
Qytetarët shprehen se gjelbërimi në Korçë nuk mungon pasi është punuar vit pas viti për shtimin e tij dhe është akoma edhe më mirë që po mbillen pemë të tjera.
Veç mbjelljes së pemëve të reja, do të bëhet edhe zëvendësimi i pemëve të dëmtuara. Ky proces do të zgjasë deri në muajin prill.
/rtsh/