Shërbimi Onkologjik, qendër ditore për pacientët e prekur nga tumoret
Shërbimit të Onkologjisë në QSUT i është shtuar edhe një shërbim tjetër, që shërben si qendër ditore. Në këtë qendër trajtohen të gjithë pacientët e prekur nga tumoret, ku marrin vetëm trajtim ditor dhe më pas largohen për në shtëpitë e tyre. Për këtë arsye, për të trajtuar të sëmurët që janë në stade të avancuara, përveç shërbimit onkologjik në banesë, është ngritur një spital ditor, i cili do të sjellë edhe risi. Ndërsa një pjesë tjetër, që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, me rekomandimin e mjekut, do të drejtohen në Spitalin e Onkologjisë në QSUT. Deri sot, një pjesë e pacientëve i jepej shërbimi në banesë, gjë që nuk është e mundur të bëhet çdo ditë dhe për shkak të mungesës së aparaturave. Çdo vit në Shqipëri evidentohen afro 4 mijë raste të reja të pacientëve të prekur nga kanceri. Mjekët onkologë japin alarmin se kjo shifër vjen në rritje nga viti në vit. Rreth 2800 persona në vit vdesin nga sëmundja e kancerit. Të prekurit nuk kanë mundësi shpëtimi, pasi nuk e kryejnë diagnostikimin në kohën e duhur. Mjekët sqarojnë se kapja e sëmundjes në kohën e duhur jep më tepër mundësi jetese për personat e prekur. Kjo shifër është tepër e lartë për numër popullsie dhe specialistët sqarojnë se numri i të prekurve po shkon drejt rritjes. Të prekurit janë të moshave të ndryshme, por me rrezik madhor sëmundja paraqitet te femrat. Për parandalimin e kësaj sëmundjeje te femrat janë bërë projekte që kanë rezultuar të sakta dhe që kanë shpëtuar jetën e shumë grave.
26 Gusht 2009