E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Bashkëpunimi me PD brenda afateve kushtetuese

 

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili përsëriti dje se bashkëpunimi me Partinë Demokratike për formimin e kabinetit të ri qeveritar do të zhvillohet brenda afateve kushtetuese. “Vendimi për bashkëpunimin me PD-në, është marrë në forumin më të lartë drejtues të LSI-së dhe duhet të zbatohet”, deklaroi Petrit Vasili, duke quajtur 5 kundërshtarët e këtij bashkëpunimi, të kryesuar nga Pëllumb Xhufi si zëdhënës të bashkisë. Më tej, Vasili tha se po punohet për një program serioz qeverisës. “Marrëveshja PD-LSI është një vendim madhor dhe historik i Konventës së LSI-së, që është dhe forumi më i lartë i LSI-së dhe ky vendim jo vetëm që është i patjetërsueshëm dhe i pakthyeshëm, por është dhe obligim madhor i LSI-së që nga kryetari i saj dhe deri tek anëtari i thjeshtë. Procesi i negocimit është në fazën e tij përgatitore, qoftë në mënyrë të planit programor, e cila përbën dhe sfidën dhe risinë e re. Sepse kjo është një marrëveshje historike që nuk ka vënë asnjëherë në balancë interesat partiake, por ka vënë në radhë të parë dhe kjo është lehtësisht e lexueshme për këdo njeri normal dhe për mijëra qytetarë që e mendojnë kështu, pra ka vënë në plan të parë integrimin, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e vendit. Sipas tij, PD dhe LSI po punojnë për programin e përbashkët qeverisës. “Në këtë pikëpamje po punohet në pjesën programore, në këtë platformë, e cila përbën thelbin dhe zemrën e kësaj marrëveshje, e cila në përputhje me afatet kushtetuese dhe jo më parë, do të konkludohet në ditët e para të Shtatorit. Kështu që mendoj se kjo ecuri shumë pozitive, dhe kjo qetësi dhe stabilitet i krijuar në vend, është falë këtij bashkëpunimi historik të LSI-së. Dhe kjo është një ëndërr jo vetëm për mijëra shqiptarë, por edhe për shumë dhe shumë të tjerë që kanë sakrifikuar edhe para viteve ‘90 për një Shqipëri të hapur dhe jo të izoluar, një Shqipëri në stabilitet dhe jo në kaos, një Shqipëri të qetë, dhe jo një Shqipëri të turbulluar”, u shpreh Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›