E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e Lirimit, përcaktohet datat për të gjithë mbetësit



Përcaktohet vendi dhe datat ku do t’i nënshtrohen Provimeve të Lirimit nxënësit e klasave të nënta në kryeqytet. Drejtuesit e arsimit kanë vendosur që këto provime për të gjitha shkollat e Tiranës të zhvillohen në mjediset e shkollës Teknike-Ekonomike në kryeqytet. Ndërsa ora e fillimit të provimeve si për Gjuhë-Leximin ashtu edhe për Matematikën do të jetë 8 e 30 e mëngjesit. Në datën 1 shtator mbetësit në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Leximit Letrar do të rijapin provimin në bazë të një teze të hartuar tashmë jo më nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), por nga Drejtoria Arsimore. Katër ditë më pas, më 5 shtator nxënësit e klasave të nënta që rezultuan mbetës në sezonin e parë të provimeve në lëndën e Matematikës, do t’i nënshtrohen sërish këtij provimi. Vendosja e datave për ridhënien e Provimeve të Lirimit në ditët e parë të muajit shtator nuk është bërë pa qëllim. Ministria e Arsimit ka vendosur të lejojë zhvillimin e provimeve në datat e mësipërme, në mënyrë që nxënësve mbetës në këto provime tu jepej mundësia e fundit për të filluar gjimnazin që këtë vit shkollor, i cili si çdo vit do të nis në datën 15 shtator.

Rezultatet e rivlerësimit për provimet me zgjedhje pritet të dalin të ejten

Ditën e enjte maturantët që kanë kërkuar rivlerësim të provimeve me zgjedhje të Maturës do të njihen me rezultatin e dytë. Burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës bëjnë të ditur se renda kësaj dite Agjencia e Pranimeve në Universitetet do të dërgojë në drejtoritë arsimore rezultatet e rivlerësimit, të cilat më pas do t’u kalojnë shkollave. Mësohet se kërkesat për rivlerësimin e provimeve me zgjedhje kanë qenë më të shumta krahasuar me dy provimet me detyrim të Maturës. Kjo për faktin se notat e provimeve me zgjedhje janë tepër vendimtare për të fituar të drejtën e studimit. Rreth 7 mijë maturantë në shkallë vendi nuk kanë mundur që t’i kalojnë me sukses provimet me zgjedhje të Maturës. Për rrjedhojë, për këta maturantë gara e pranimeve në universitete u ndërpre në këtë fazë. Por nëse pas rivlerësimit ndonjë prej maturantëve që ka marrë vlerësim kalues në provimet me detyrim, arrin të kalojë pozitivisht edhe provimet me zgjedhje, ka të drejtë t’i llogariten pikët për në universitet. Sipas Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), maturantët mbetës kanë gabuar në përcaktimin e lëndëve me zgjedhje. Kanë qenë pikërisht lënda e Historisë dhe Gjeografisë, dy provimet me zgjedhje që kanë fundosur më së shumti maturantët në këto provime.

Njohja e diplomave, në shtator del lista e re e aplikantëve

Brenda muajit shtator të gjithë aplikantët për njohjen e diplomës së fituar jashtë edhe në vendin tonë do të marrin certifikatat e njohjes, nëse dosja e tyre është e plotësuar me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Ky është vendimi i fundit i marrë nga Komisioni i Njohjes së Diplomave në Ministrinë e Arsimit, i cili ka marrë përsipër detyrën e njohjes së diplomave të mbetura në muajin që sapo vjen. Për këtë, MASH-i fton të gjithë aplikantët të konfirmojnë nëse dosjet e tyre të dorëzuara në Sektorin e Njohjes së Diplomave i kanë të gjitha dokumentet e kërkuara dhe njëkohësisht të tërheqin certifikatat të gjithë ata për të cilët procesi i njohjes ka përfunduar. Një numër i madh studentësh shqiptarë kanë kryer studimet jashtë shtetit. Deri tani, rezulton që numri i vendeve ku studentët shqiptarë kanë kryer studimet universitare dhe pasuniversitare është 54. Ndër ta kryesisht në Itali, Greqi, Bullgari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, Maqedoni, Holandë, Austri, Francë, e shumë të tjerë. Një diplomë e huaj njihet në Shqipëri vetëm nëse ajo është njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila lëshon certifikatën e njohjes për këtë qëllim. Deri më 20 gusht 2009 Komisioni “Ad Hoc” ka kaluar në komision dhe ka shpërndarë mbi 500 certifikata.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›