E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, shtohen edhe 4 të sëmurë të rinj

 

Listës zyrtare të personave me grip derri në vendin tonë i shtohen 4 raste te reja. Janë 3 studentë dhe 1 shtetas nga Tirana, të cilët kanë rezultuar pozitivë për virusin AH1N1. Përgjigjet nga laboratori i Rumanisë mbërritën dje në mesditë. Lajmi u konfirmua nga kryetari i Grupit të Punës në ISHP dhe  Ministria e Shëndetësisë. Në këtë mënyrë shkon në 9 numri i të prekurve në vend. “Nga të gjithë të prekurit me virusin A-H1N1, tre janë të huaj dhe gjashtë shtetas shqiptarë”, sqaruan specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkaq dyshohen edhe 13 persona të tjerë, analizat e të cilëve pritet të nisen për konfirmim në Bukuresht. Instituti i Shëndetit Publik, përmes një buletini të përditësuar mbi situatën epidemiologjike të gripit, bën me dije se është shtrirë harta e pranisë së virusit. Analizat paraprake të këtyre qytetarëve, të kryera pranë laboratorit të virologjisë në ISHP, kanë rezultuar pozitive për virusin A, por nëse i përkasin nëntipit (H1N1) do të verifikohet nga laboratorët e huaj. Nga sa saktësohet në buletin, nga 13 të dyshuarit, tetë raste kanë shfaqur shenja të sëmundjes, pas udhëtimeve që kanë kryer jashtë vendit, ndërkohë që nga këta pacientë, një është nga Vlora, një nga Saranda dhe një nga Lushnja. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se vigjilenca në pikat kufitare është rritur ndjeshëm, por qytetarët duhet të jenë vetë të ndërgjegjësuar për t’u paraqitur te mjeku, që me shfaqjen e shenjave të para. ”Mos neglizhoni as rrufën, as temperaturën, as dhimbjen e kokës. Sidomos fëmijët dhe të sëmurët kronikë. Vetëm kështu mund të kapim ne kohë sëmundjen, si dhe të trajtojmë siç duhet pacientët”, shprehen bluzat e bardha.
Vaksina antigrip
Vetëm 10% e popullsisë në vendin tonë do të mund të marrë falas vaksinën. Në këtë grup do të futen gratë shtatzëna, fëmijët, punonjësit e shëndetësisë, si dhe zyrtarët apo kategori të tjera prioritare. Sasia e porositur arrin në 300 mijë doza. Krahasuar me vendet e tjera, masa e mbulimit me të është në nivele tepër të ulëta. Ndërkohë pak kohë më parë, Ministria e Shëndetësisë, Anila Godo deklaroi se po bëheshin tratativa për të siguruar dozat përkatëse për më shumë se 40% të popullsisë.  Pjesa tjetër i duhet ta sigurojë vetë medikamentin. Kostoja e saj, edhe pse ende nuk ka dalë në treg, mendohet të shkojë deri në 15 euro. Për më shumë se 1 vit, vendi ynë do të shënojë çdo ditë raste të infektuarish me gripin e derrave. Por se sa do të zgjasë në të vërtetë pandemia, këtë specialistët e kanë të vështirë ta thonë. Gjithsesi, OBSH-ja ka paralajmëruar se 1 ndër 5 vetë mund të preket nga gripi, një pjesë e mirë e tyre nuk do të shfaqin komplikacione. Por gjithsesi nga numri i rasteve të regjistruara, apo atyre të dyshuara, duket qartë se virusi tek ne nuk ka qenë aq agresiv. Të gjithë personat që kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen kanë pasur formë të lehtë të virusit. Grupmosha nga 15-44 vjeç ka regjistruar numrin më të lartë të mostrave që janë marrë për ekzaminim. ”Aktualisht në laboratorin e ISHP po analizohen 30 monstra çdo javë. Në të identifikohet tipi i virusit, nga i cili është prekur pacienti brenda dy orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore, ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat 24-72 orë. Më tej konfirmimi i nëntipit të virusit kryhet pranë laboratorit të referencës në Bukuresht, ku dërgohen mostrat”, thuhet në buletinin e Institutit të shëndetit Publik.

Greqia, vaksinë antigrip për gjithë popullatën

Greqia ka vendosur të vaksinojë gjithë popullsinë e saj për të përballuar gripin e derrave. Këtë vendim mori dje komisioni qeveritar, ku u aprovua Plani Kombëtar i Veprimit. Sipas vendimit, do të vaksinohet pa përjashtim gjithë popullësia, duke përfshirë edhe emigrantët e paligjshëm që ndodhen në këtë shtet. Greqia është ndër vendet e para që do të furnizohet me vaksina në mesin e muajit shtator, por vaksinimi do të fillojë kur ky medikament të marrë aprovimin e organeve shëndetësore të BE. Shpenzimet do të mbulohen nga shteti grek, ndërsa numri i përgjithshëm i dozave arrin në 24 milionë. Ministri i Shëndetësisë në shtetin fqinj ka theksuar se ekziston një pasiguri shkencore për përballimin e gripit AH1N1 dhe sipas skenarëve më negative, mund të infektohet nga ky virus 30 deri 40% e gjithë popullsisë. Në Greqi, ndryshe nga shumë shtete të tjera të botës, gripi i derrave u shfaq më agresiv. Brenda pak javëve u prekën rreth 1000 vetë, ndërsa numri shtohet dita-ditës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›