E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmimi, krushqit pacientë në Fier

 

VLORE / QEMAL BIRAKU

Shtohen në spitalin e Vlorës dasmorët e helmuar të dielën e kaluar. Dje edhe 7 persona të tjerë janë paraqitur me shenja të këputjes trupore, të vjella, diarre apo edhe temperaturë. Mësohet se e njëjta situatë është paraqitur edhe në spitalin e Fierit. Për ndihmë mjekësore kanë shkuar 7 krushqit që kishin shkuar në Vlorë në të njëjtën dasmë për të marrë nusen. Burime spitalore nga Fieri bënë të ditur se ata janë paraqitur gjatë ditëve të javës me shenja të një helmimi. Pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, krushqit janë larguar nga spitali. Mjekët e Fierit bënë të ditur se nga kontaktet me ta është mësuar se ata vinin nga e njëjta dasmë. Pas kësaj ngjarjeje, dje ka reaguar Drejtoria e Shëndetit Publik në Vlorë. Punonjësit e saj janë vënë në lëvizje duke marrë kampionë dhe analiza nga të shtruarit në spital, të cilët më pas janë dërguar në laboratorët e Tiranës për të saktësuar shkakun e këtij helmimi masiv. Mendohet se shumë dasmorë të tjerë kanë kaluar të njëjtat simptoma në kushtet e shtëpisë. Mjekët nuk përjashtojnë mundësinë që të tjerë pacientë të vijnë për ndihmë, pasi edhe dje, ndonëse kishin kaluar pesë ditë nga dasma, janë shtruar shtatë dasmorë të tjerë në spitalin e Vlorës. Drejtoria e Shëndetit Publik ka urdhëruar mbylljen e lokalit deri në rezultatet e këtyre analizave. Lokali ku u bë dasma më 26 korrik ndodhet në afërsi të Pyllit të Sodës. Sipas  mjekut të repartit të infektivit, dr.Islam Islami, edhe gjatë natës së kaluar si dhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar të paraqiten persona të sëmurë, që kanë qenë në të njëjtën dasmë. “Personat e paraqitur në spital që nga pasditja e së hënës dhe në vazhdim kanë të njëjtat simptoma dhe shqetësime, si me të vjella me temperaturë, ethe, diarre, dhimbje koke si dhe këputje të përgjithshme. Disa prej të sëmurëve janë paraqitur në gjendje të rëndë, sepse kanë qëndruar dy apo tri ditë të sëmurë në shtëpi. Kur kanë parë se gjendja e tyre është rënduar janë paraqitur në spitalin e Vlorës, ku dhe kanë marrë mjekim”, u shpreh mjeku Islami. Aktualisht në këtë spital ishin shtruar 15 persona, nga 8 që kanë qenë një ditë më parë.

Pacientja: U ndjeva keq, erdha në spital pas tri ditësh
Një prej pacienteve të helmuara në spitalin e Vlorës, A.Sh., 35 vjeçe nga fshati Mallkeq, e cila është shtruar prej dy ditësh, rrëfeu dje për dasmën dhe më pas helmimin bashkë me bashkëshortin e saj. Sipas saj, më 26 korrik kishte qenë në dasmë bashkë me të shoqin. Pasi kishte mbaruar dasma, të hënën kishin nisur të shfaqeshin shenjat e helmimit tek të dy. “M’u pre fuqia, po më dridhej trupi, më pas më filluan të vjella, temperaturë, dhimbje koke dhe diarre. Qëndrova në këtë gjendje tri ditë, por kur e pashë veten keq u paraqita në spital”, u shpreh 35-vjeçarja. Sipas saj, edhe i shoqi është në të njëjtën gjendje me të. “Konsumuam ushqimet e zakonshme të një dasme, mish, sallata, patate, biftek, pije të ndryshme, ëmbëlsira etj. Nuk e dimë nga na erdhi helmimi. Pothuajse janë sëmurur të gjithë personat që kanë qenë në dasmë, por shumë prej tyre nuk janë paraqitur në spital. Kanë ardhur për ndihmë vetëm ata që janë ndier më rëndë”, vijoi më tej dje pacientja e shtruar në spitalin e Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›