E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni pret në pallatin “Kixhi”,“Presidenti e “Taçi Oil International”

 

Presidenti i Grupit “Taçi Oil International, zoti Rezart Taçi, u prit dje në pallatin Kixhi, në një takim zyrtar nga Kryeministri Italian, Silvio Berluskoni. Gjatë takimit, i cili zgjati plot një orë, është diskutuar për mundësitë dhe sigurimin e kushteve të nevojshme të biznesit shqiptar, për të investuar në fusha të ndryshme të ekonomisë italiane. Zoti Taçi, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të rritjes së performancës të biznesit shqiptar, si dhe mundësive të saj për të kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, i shprehu zotit Berluskoni synimin e Grupit “Taçi Oil International”, për të investuar në Itali në fushën e energjisë dhe kryesisht në sektorin e përpunimit dhe tregtimit të hidrokarbureve. Zoti Berluskoni shprehu kënaqësinë e tij për klimën e favorshme të krijuar nga qeveria shqiptare, për investitorët italianë që operojnë në Shqipëri dhe e garantoi zotin Taçi për mbështetjen e padiskutueshme të tij dhe të qeverisë italiane për zhvillimin e projekteve të Grupit “Taçi Oil International” në ekonominë Italiane. Në përfundim të takimit, zoti Berluskoni e ftoi zotin Taçi të jetë pjesë e delegacionit të tij në vizitën ardhshme që do të zhvillojë në Tiranë. Ftesa e zotit Taçi nga ana e Kryeministrit Italian vjen menjëherë mbas pjesëmarrjes së tij në forumin ekonomiko financiar për vendet e Mesdheut, organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Milanos, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të zotit Berluskoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›