Ujërat e zeza në det, problem edhe këtë verë
Ndotja nga ujërat e zeza në plazhe nuk do të mungojë edhe për këtë sezon turistik. Këtë fakt e pranojnë vetë autoritet e mjedisit, të cilët shprehen se ka ende subjekte që i derdhin ujërat e zeza në det, ndërkohë ka edhe mjaft ndërtesa të cilat nuk kanë hapur fare gropa septike, apo që dhe nuk i pastrojnë. Plazhi i Currilave dhe zona e Kavajës do të jetë objekt i monitorimit të vazhdueshëm të inspektorëve të mjedisit gjatë gjithë verës. “Ne na duhet që sivjet përsëri të përballemi me fenomenin e ujërave të zeza në det. Paralajmërimi ka qenë i formës së prerë. Këtyre subjekte jo vetëm do t’u mbyllet aktiviteti, por gjej rastin t’u komunikoj këtë paralajmërim edhe sot te të gjithë këta individë apo subjekte të ndryshme: nuk mundet më që të vazhdohet me këtë lloj ritmi të ndotjes nëpërmjet shkarkimit të ujërave të zeza”, - deklaroi drejtori i Kontrollit Mjedisor në Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati. Ndërkaq, autoritetet e Mjedisit thonë se të gjitha plazhet si private dhe publike duhet të zbatojnë disa kritere higjieno-sanitare, në të kundërt do të ketë penalitete si për pushtetin vendor, ashtu edhe për pronarët. “Nuk mundet që ti të kesh në përdorim një zonë që e përdor dhe e shfrytëzon dhe brenda kësaj zone ku ti thërret pushuesit nuk ke një tualet, nuk ke ujë të rrjedhshëm për dushet, nuk ke vendosur asnjë kosh për mbeturinat. Penalitetet do jenë si për drejtuesit e pushtetit lokal, por edhe për subjektet private”, - tha Deshati. Por, një problem shqetësues për specialistët e mjedisit janë edhe mbetjet inerte nga ndërtimet, të cilat janë përgjegjësi e pushtetit vendor.