E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i ardhshëm, Rama Fillon konsultimet për kandidatin

03/04/2012  Këshilli i të Urtëve pritet të dorëzojë listën e emrave

Partia Socialiste duket se do të dalë me një kandidaturë të saj për presidentin e ardhshëm të Republikës. Në një kohë kur mazhoranca po i mëshon fort idesë së një presidenti të saj, kreu i opozitës është kundërpërgjigjur duke mbledhur Këshillin e të Urtëve të partisë së tij, një organizëm ky këshillues i formuar në vitin 2009. Si në pak raste të ngjashme, dje ishin bërë bashkë dhe ish-presidenti Meidani dhe Ylli Bufi, të cilët jo pak herë kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre dhe kundërshtinë ndaj kreut të PS-së Edi Rama.

Mbledhja

Këshilli i të Urtëve, ku dje ishin pjesëmarrës Arta Dade, Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Luan Hajdaraga dhe Bashkin Zeneli, ka ndenjur për rreth 1 orë e 30 minuta në takim me kreun e PS-së. Pas përfundimit të takimit asnjë prej pjesëmarrësve nuk pranoi të prononcohej, por burime nga PS-ja shprehen se takimi është përqendruar pikërisht te kandidatura e opozitës për kreun e shtetit, përzgjedhjet që mund të ketë ajo apo dhe strategjia që do të ndiqet për këtë qëllim. Pjesëmarrësit në takim kanë dhënë opsione të ndryshme, por të njëjtat burime janë shprehur se nuk është prekur çështja e kandidimit të liderit historik të PS-së Fatos Nano, që e ka shfaqur hapur ambicien e tij në lidhje me kandidimin për president. Ndoshta kjo ka qenë dhe arsyeja pse Këshilli i të Urtëve ka pasur pjesëmarrje të plotë. Burimet shprehen se nuk përjashtohet mundësia që në përbërje të jenë dhe emra nga ky këshill.

Lëvizjet

Të njëjtat burime thanë dje se tashmë që kanë mbetur diçka më shumë se tre muaj nga zgjedhja e presidentit të ardhshëm PS-ja do të fillojë të testojë opinionin publik dhe Këshilli i të Urtëve është ngarkuar me hartimin e një liste, që do t’i paraqitet kryetarit të PS-së. Por arsyeja e nxjerrjes sporadike të emrave, që do të vijnë nga e majta apo dhe nga bota akademike, është dhe testimi i kundërshtarit apo faktorit ndërkombëtar. Vetë Rama ka propozuar një formulë si zgjedhja e Avokatit të Popullit, por që është parë me skepticizëm dhe nga vetë brenda Partisë Socialiste. Me pretendimin se me marrjen e presidentit Berisha fut në dorë të gjitha pushtetet, opozita do të luajë fort në këtë pikë, sidomos me aleancat ndërkombëtare. Gjithsesi, një pengesë e madhe që kampi rozë të marrë kreun e shtetit mbetet Kushtetuta, e cila përcakton qartë se pas katër dështimesh në raundin e pestë presidenti mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash.

Mazhoranca

Nga ana e saj mazhoranca ka lëvizur e para, duke hedhur tërthorazi në treguan mediatik dhe opinion si emër të mundshëm për president atë të Jozefina Topallit. Natyrisht, kundërpërgjigjja e PS-së ka qenë e menjëhershme, por kjo s’e ka penguar mazhorancën që të ngulë këmbë fort për ta marrë ajo presidentin. Topalli, në fakt, më shumë se figura e pranueshme brenda PD-së shihet si krahu i djathtë i Kryeministrit dhe frika se me ardhjen e saj mund të pasojnë ndryshime radikale në organe të tilla si prokurori apo dhe sistemin e drejtësisë, ka bërë që opozita ta ngrejë dhe më shumë zërin e kundërshtisë. Por në rast se deri dje dy kampet i janë shmangur me diplomaci këtij diskutimi, tashmë, kur s’ka mbetur dhe shumë kohë, gurët kanë filluar të lëvizin dhe më e interesuara në lidhje me këtë çështje natyrisht është opozita.

Vetë Rama ka propozuar një formulë si zgjedhja e Avokatit të Popullit me anë të konkurrimit, që është parë me skepticizëm dhe nga vetë brenda Partisë Socialiste.

Arta Dade, Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Luan Hajdaraga dhe Bashkin Zeneli kanë ndenjur për rreth 1 orë e 30 minuta në takim me kreun e PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›