E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, shqiptari përdhunon për 24 orë lidhur ish të fejuarën



ITALI - Një 21- vjeçar shqiptar është bërë protagonist i rrëmbimit të ish-të dashurës së tij, po shqiptare, mbajtjes së saj peng për 24 orë, përdhunimit të përsëritur dhe torturimit të saj me hithra. I riu shqiptar është arrestuar nga autoritetet policore italiane. Lajmi për ngjarjen e pazakontë u publikua dje nga agjencitë e lajmeve të vendit fqinj. Sipas burimeve, ngjarja është shënuar në 30 maj në zonën e Breshias, por vetëm dje është mundësuar arrestimi i 21- vjeçarit. Referuar burimeve mediatike të vendit fqinj, T.E., 21 vjeç është arrestuar pas kallëzimit të V.A., që dyshohet të jetë ish e dashura e tij. Mësohet se "historia" ka filluar në Manerbio, një qytezë e provincës së Breshias. Mbrëmjen e 30 majit 21- vjeçari ka detyruar vajzën T.E., të futej në automjetin e tij, për të sqaruar disa gjerë në lidhje me një lidhje që kishin pasur me njëri- tjetrin në të kaluarën. Por pasi e ka marrë në automjet ai e ka çuar në një vend të veçuar dhe të izoluar. Në këtë vend i riu e ka lidhur vajzën tek kyçet me izolant kabllosh elektrikë dhe i ka marrë asaj telefonin celular. Në vijim vajza është përdhunuar në mënyrë të përsëritur nga i riu. Sipas burimeve, vajza është mbajtur e bllokuar përreth 24 orë. Veç të tjerash, u bë e ditur, që në fund shqiptari ka prekur me hithra gjithë trupin e vajzës, çka i ka krijuar asaj përskuqje të lëkurës. Mbas 24 orësh "tmerr", vajza është liruar nga ish-miku i saj. Sipas "La Republika"-s, vajza ishte kërcënuar me jetë nga 21- vjeçari nëse do të tregonte familjarëve të saj për ato që i kishin ndodhur. Ndërkohë në 3 qershor, e reja, së bashku me prindërit ka shkuar në polici ku ka treguar gjithçka. Mësohet se menjëherë policia ka lokalizuar një ofiçinë ku ishte i punësuar 21-vjeçari dhe e ka arrestuar atë. Ndërkohë që, nga një kontroll i autorizuar në banesën e djalit në Bergamo, është gjetur dhe sekuestruar izolant elektrik i njëjtë me atë që është përdorur për lidhjen e vajzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›