GJERMANI GREQI Gjermania favorite kundër Greqisë surprizë
Thënia…
“Duhet të jeni të lumtur të dashur grekë, humbja ditën e premte do të jetë një dhuratë. Asnjë plan shpëtimi nuk do tju ndihmojë. Titulli kryesor i gazetës gjermane Bild.
Gjermani – Greqi
Ora 20:45, në Gdansk
Formacionet e mundshme:
Gjermania: Nojer, Boateng, Humels, Badshtyber, Lahm, Khedira, Shvajnshtajger, Myler, Ozil, Podolski, M.Gomez.
Greqia: Sifakis, Torosidis, Papastatopulos, Papadopulos, Tzavelas, Katsuranis, Maniatis, Salpingidis, Fotakis, Samaras, Gekas
Helenët, që kanë qenë befasia më e madhe gjatë fazës me grupe, do të vihen përballë njërës prej skuadrave pretendente për të fituar Euro 2012
Kapiteni i Greqisë, Giorgios Karagunis, nuk do të luajë në ndeshjen e sotme për shkak të kartonit të verdhë që ka marrë kundër Rusisë. Ai mund të zëvendësohet nga mesfushori i Aekut të Athinës Grigoris Makos ose nga lojtari i Paokut Giorgos Fotakis.
Mbrojtësi i krahut të djathtë i Gjermanisë Zherom Boateng është në dispozicion pasi ka munguar në takimin e fituar kundër Danimarkës për shkak skualifikimi. Zëvendësuesi i tij, mesfushori Lars Bender, shpreson të ruajë vendin e tij në formacion pas golit të shënuar kundër danezëve.
Sporti dhe politika shpesh nuk janë një kombinim i mirë, por është e pamundur të injorohen diskutimet për huazim parash dhe përjashtime nga Eurozona para çerekfinales së sotme, me Angela Merkel që do të jetë e pranishme në tribunë.
Kancelarja gjermane nuk shikohet aspak me sy të mirë nga populli grek për shkak të masave të rrepta financiare që ka kërkuar për të ndihmuar ekonomikisht Greqinë.
Merkel konsiderohet si hajmali për skuadrën Gjermane – ajo ka ndjekur nga tribuna fitoren e thellë 4-0 kundër Argjentinës në Botërorin e 2010-ës, por nuk ka qenë e pranishme në eliminim e gjermanëve në gjysmëfinale kundër Spanjës.
Shenjat tregojnë se Merkel ka pak mundësi që të zhgënjehet; Gjermania nuk ka humbur asnjë çerekfinale në Europian dhe ka fituar tri ndeshjet e grupit për herë të parë në këtë kompeticion. Fituesit e befasishëm në 2004-ën, Greqia, ka shkaktuar surprizën më të madhe të Euro 2012-ës duke eliminuar Rusinë.
Tani nën drejtimin e teknikut portugez Fernando Santos, skuadra ka të njëjtat cilësi luftuese që janë parë edhe para tetë vitesh, kur ekipi drejtohej nga gjermani Oto Rehagel.
Lidhjet me Gjermaninë shtrihen edhe në formacionin helen, me tetë nga lojtarët të Greqisë që kanë luajtur në Bundesligë, duke përfshirë qendërmbrojtësit Kiriakos Papadopulos, të Shalkes dhe Sokratis Papastathopulos (i cili në sezonin e kaluar është huazuar te Verder Breme).
Mbrojtësi i krahut të majtë Hoze Holebas ka lindur në Gjermani, ndërsa sulmuesi Kostas Mitroglu është rritur atje. Grekët do të mendojnë të mbrohen dhe do të shpresojnë të befasojnë gjermanët, një strategji kjo që pothuajse ka funksionuar për Portugalinë kundër skuadrës së Joakim Lëv.
Greqia rrallë herë shënon më shumë se një gol, kështu që goli i parë do të jetë vendimtar. Gjermanët nuk kanë kaluar në disavantazh në një ndeshje zyrtare për dy vite dhe nuk do të duan të ndodhen në një situatë të tillë kundër grekëve kokëfortë.
Përballjet direkte:
- Gjermania (duke përfshirë edhe Gjermaninë Perëndimore) nuk ka pësuar asnjë humbje në tetë ndeshjet e mëparshme kundër Greqisë, duke fituar pesë. I vetmi takim në Europian ka qenë një ndeshje në grup që ka përfunduar 0-0 në 1980-ën. Rezultati i ka çuar gjermanët në finale, ku kanë mundur Belgjikën.
- Ndeshja më e afërt është luajtur në fazën eliminatore të Botërorit të 2002-it. Gjermania ka fituar 2-0 në Hamburg në shtator të vitit 2000 dhe 4-2 në Athinë në mars të 2001-it; Miroslav Kloze është i vetmi i mbijetuar nga takimi i fundit – ai ka shënuar në atë ndeshje.
Gjermania
- Gjermanët kanë kaluar në avantazh në të tri ndeshjet e Euro 2012-ës, plus në 10 ndeshjet e fazës eliminatore, duke i ftuar të gjitha përballjet. Nuk kanë kaluar në disavantazh në një ndeshje zyrtare që nga përballja me Uruguain e vlefshme për vendin e tretë në Botërorin e 2010 (kur kanë fituar 3-2, pasi kanë qenë në disavantazh 2-1).
- Skuadra e Joakim Lëv ka fituar 14 ndeshjet e fundit zyrtare (duke përfshirë edhe përballjen me Uruguain në Botëror).
- Mosha mesatare e formacionit titullar që ka luajtur kundër Danimarkës ka qenë 25 vjeç dhe 107 ditë, formacioni më i ri i Gjermanisë në historinë e Europianit.
- Gjermania (duke përfshirë edhe Gjermaninë Perëndimore) nuk ka humbur kurrë një takim çerekfinal në Europian. Ata kanë mundur 3-2 Portugalinë në Euro 2008-të dhe Kroacinë 2-1 në Euro 1996. Gjithashtu, kanë mundur edhe Anglinë (19720 dhe Spanjën (1976) në kohën kur çerekfinalet luheshin dy faza para finales.
Greqia
- Grekët kanë shënuar vetëm një gol në secilën prej tetë ndeshjeve të fundit.
- Ne tre takimet e mëparshme në Europian, Greqia ose ka zënë vendin e fundit ose ka fituar kompeticionin (si në 2004). Për rrjedhojë ata kanë fituar tre ndeshjet e mëparshme pas fazës me grupe.
- Greqia nuk ka mbyllur asnjë ndeshje me penallti në një kompeticion të madh. Ata kanë humbur tre penalltitë e fundit – Giorgios Karagunis nuk ka arritur të kthejë në gol penalltinë kundër Polonisë në ndeshjen hapëse dhe Samaras me Kostas Katsuranis kanë bërë të njëjtën gjë kundër Armenisë më 31 maj.
- Kundër Rusisë, Greqia ka barazuar rekordin e turneut për numrin më të madh të goditjeve të bllokuara (12), po aq sa Anglia kundër Portugalisë në 2004-ën dhe kundër Francës në 2012-ën.
Lëv: Spanja favorite për të fituar Euro 2012
Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka përsëritur se Spanja kampione në fuqi mbetet ekipi favorit për të fituar Euro 2012, ndërsa gjermanët sot do të përballen me Greqinë në çerekfinale.
Unë e kam parë Spanjën dy herë dhe mund të them se luajnë në mënyrë të shkëlqyer, ka thënë 52-vjeçari Lëv me Gjermaninë dhe Spanjën që mund të përballen vetëm në finalen e 1 korrikut. Ata kanë pasur të njëjtat vështirësi si çdo skuadër tjetër në këtë kompeticion. Por Spanja mund të të ndëshkojë në çdo moment.
Ata kanë lojtarë fantastikë, Injesta, për shembull, është një produkt i një kulture të madhe futbollistike. Spanja ka qenë gjithmonë dhe mbetet ekipi favorit në këtë kompeticion, ka thënë Joakim Lëv.
Santos: Nuk duhet të ndikohemi nga politika…
Trajneri i Greqisë, Fernando Santos, i ka kërkuar lojtarëve të tij të përqendrohen të futbolli dhe jo te tensioni politik që rrethon ekipin e tij para çerekfinales që do të luhet sot kundër Gjermanisë.
Të dy kombet janë në zemër të krizës ekonomike të Eurozonës dhe Kancelarja gjermane Anxhela Merkel është një figurë jo shumë e dashur në Greqi për shkak të masave të rrepta të kërkuara në këmbim të ndihmës financiare. Kjo situatë ka ndikuar te skuadra, ka thënë Santos.
Lojtarët kanë familje, kanë miq dhe janë të shqetësuar për situatën. Ka një krizë ekonomike dhe shumë njerëz janë të papunë. Ajo që i kam kërkuar atyre është që të përpiqen ta harrojnë atë që po kalon vendi dhe të përqendrohen vetëm te futbolli për të treguar se janë luftëtarë të vërtetë, ka thënë Santos.
