E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia paralajmëron të njëjtën situatë në rajon

Nga Besnik Manushi

Shteti grek sapo është zgjuar nga apatia e mirëqenies së shtirur dhe po ulet në tapetin e realitetit bardhezi të vendit. Protestat që vazhdojnë prej ditësh janë nga më të dhunshmet që janë parë që prej kohës së Juntës në Greqi, por problemi më i madh është se askush s’po bën një lidhje mes njëra-tjetrës.

Në fakt, në mes të këtyre dy ngjarjeve ka pasur peripeci dhe elementë të një shteti të shëndetshëm. Greqia hyri në Bashkimin Evropian dhe ekonomia sikur çeli prej kredive prej miliona dollarësh. Ndërkohë, grekët vinin nga shkolla me një background të fortë dhe ishin ndër vendet me një potencial të madh intelektual. Ndërkohë, ishujt nga kështjella të internimit u kthyen në parajsat mesdhetare të turizmit. I gjithë ky ndryshim i bëri grekët nga eksportues të trurit në importues të punës. Refugjatët u dyndën nga të katër anët dhe i dhanë dorën kryesore industrisë kryesore, turizmit (ndërtimit). Lëvizjet e para 30 viteve në Greqi kishin elementë të theksuar të problemeve ekonomike, me të cilat përballej vendi, që pasqyroheshin në realitetin social.

Ndërkohë, të rinjtë janë duke djegur gjithë Athinën, e cila ka shije të hidhur prej Spartës nisur nga kjo pikë. Mijëra policë janë në gatishmërinë numër një, pa mundur të bëjnë dot asgjë. Të paktën 100 gjimnaze dhe 15 universitete vetëm në Athinë janë uzurpuar nga të rinjtë, të cilët jo vetëm nuk lejojnë të zhvillohet mësim, por janë bërë dhe protagonistët e sulmeve ndaj dyqaneve dhe rajoneve të policisë. Këto manifestime zhvillohen çdo vit në Athinë në këtë kohë. Të rinjtë dalin dhe manifestojnë për të përkujtuar ngjarjet e Juntës së viteve ’70, ku revoltat u shtypën me gjak. Por këto manifestime po bëheshin çdo vit e më të egra dhe kjo nuk po vihej re si duhej nga qeveria greke, këtë herë ato nuk kanë erën e manifestimeve thjesht anarkiste. Kjo, sepse e gjithë rinia është e revoltuar dhe jo vetëm një grup i thjeshtë.

E gjithë kriza përmblidhet te papunësia, prej së cilës në Greqi je i sigurt vetëm në sektorin publik, ndërsa në atë privat të gjithë emigrantët s’kanë lënë hapësira për ata të rinj, si Grigoropoulos i vrarë, i cili ishte një nxënës nën mesataren, që kish ndërruar disa shkolla, të paktën siç u shprehën autoritetet greke, dhe ky lloj i riu në Greqi, dhe ata janë shumë, nuk ka një të ardhme të sigurt në fusha të ndryshme të ekonomisë, si ndërtimi etj., dhe formojnë atë kontigjent të papunësh, të cilit jo vetëm Athina, por çdo vend rreth e qark saj do i frikësohej. Dhe, nëse recensioni ka filluar gjithandej në Evropë, jo pa të drejtë, sytë e shumë shteteve evropiane janë drejtuar nga Athina, nga njerëzit dhe nga reagimi i qeverisë. Skenari i përsëritur në Evropë do kishte pasoja më të rënda se ato në Greqi. I gjithë zemërimi është ndaj krizës ekonomike dhe jo ndaj sebepit Grigoropoulos, që mund të kishte emra të ndryshëm në Evropë.

Mjetet me të cilat mund të dilet nga kriza janë të pakta, pasi, ashtu si Greqia, e gjithë Evropa nuk ka mundësi të mobilizojë energji të reja, kur pjesa më e madhe e kontinentit po dënohet nga mirëqenia me plakje. Të paktën vetëm për vitin 2003 në Greqi kishte 190.000 foshnje të lindura, nga të cilat 90.000 ishin grekë dhe pjesa tjetër ishin fëmijë emigrantësh. Në rastin e Greqisë problemi më i madh i ekonomisë lidhet me fokusimin e saj te turizmi, i cili përbën peshën kryesore të të ardhurave të shtetit. Ky biznes është goditur fort nga konkurrenca e fqinjëve si Turqia, Kroacia, Mali i Zi dhe së fundi nga Shqipëria, si dhe nga hyrja e vendit në zonën euro, e cila e pengon të përdorë politika monetare për të ndihmuar ekonominë duke ngelur peng i politikave të Frankfurtit, kështu çmimet janë rritur artificialisht në nivelet më të larta që kishte njohur ndonjëherë vendi duke u bërë barrë jo vetëm për turistët, por dhe për vendasit, të ardhurat e të cilave zvogëlohen prej taksave që duhet të paguajnë për shlyerjen e kredive të prapambetura të shtetit.

Megjithatë, ka disa zona në Greqi, të cilat janë shumë produktive, siç janë Kreta, Korfuzi, ishujt Cikladike etj., ku të ardhurat për frymë janë tepër të larta, por dhe të ardhurat e shtetit prej taksave kanë një peshë të madhe në ekonominë greke duke mbushur deficitin buxhetor dhe tregtar të Greqisë. Por këto vende janë kaq periferike, sa vëmendja e Athinës do drejtohej nga epiqendra, Atikija, ku jeton dhe 40 % e popullsisë, pa përmendur Selanikun dhe Patrën. Këto janë zona përgjithësisht industriale, por janë dhe zonat, në të cilat fokusohen më së shumti shpenzimet qeveritare si në infrastrukturë, në pagesat dhe pensionet. Natyrisht, ky disproporcion i shpërndarjes së të ardhurave do krijonte një antipati te periferitë produktive, të cilat marrin shumë pak në krahasim me atë që japin. Ka pasur dhe precedentë të kërkimit të autonomisë, siç është rasti i Korfuzit, ku të ardhurat natyrisht do të menaxhoheshin nga vetë këta ishuj, ombrella të ekonomisë greke, të paktën për momentin, që në këto kushte do e vinin me shpatulla pas muri qeverinë e Athinës. Askush nuk do dëshironte të jepte kaq shumë pará që qeveria të mbyllte vrimat e sikletshme dhe t’i harronte.

Kjo situatë pakënaqësie e të rinjve mund të shtrihet në të gjithë rajonin. Sepse kartën e turizmit e kanë luajtur shumë ballkanas, si dhe Turqia, dhe me rënien e të ardhurave në Evropë, njësi të mëdha të papunësh që ishin sistemuar me turizmin do të rreshtohen buzë ushtarëve të panjohur të kryeqyteteve respektive. Dhe natyrisht kjo do të jetë një simptomë që do përshkojë pa dallim të gjithë rajonin, pasi shenjat e para po duken në Bullgari, nëse ekonomia evropiane ecën me këto ritme apo dhe më keq. Për këtë arsye dhe të tjera të harruara, këto vende që i lidhin shumë gjëra duhet të fillojnë të mendojnë t’i paraprijnë këtyre situatave, të cilat, e theksoj, kanë prapavijë ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›