Sherr me djalin e Hysni Milloshit, 2 të plagosur

Hysni Milloshi
Tiranë, Renato Milloshi qëllon me thikë dy persona pas debatit në loto.
Djali i kryetarit të Partisë Komuniste, Hysni Milloshi, akuzohet se ka plagosur me thikë dy persona në një lokal bastesh sportive në Tiranë. Sipas Policisë, Renato Milloshi, 32 vjeç, dyshohet të jetë autor i plagosjes së pronarit të lokalit, Aleto Rama dhe klientit Albi Saliasi. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 pas mesnate, në një lokal që funksionon edhe si bar-kafe, edhe si loto-sport, në rrugën Sulejman Delvina, në Tiranë. Burime nga Policia thanë se dy të plagosurit kanë kallëzuar në Komisariatin Nr. 2 32-vjeçarin Renato Milloshi, duke e akuzuar si autor të plagosjes së tyre. Të dëmtuarit nga ngjarja janë qëlluar në krah dhe në kokë me thikë. Në denoncimin e tyre ata kanë shpjeguar se ngjarja ka ndodhur pas një debati që kanë pasur me Renato Milloshin, pasi nuk pranonte të dilte nga lokali që do të mbyllej. Policia tha se konflikti fillimisht ka nisur mes Milloshit dhe pronarit të lokalit, Alteo Ramës, i cili i ka kërkuar që të dilte jashtë pasi lokali do të mbyllej. Por, me sa duket, edhe nën efektin e alkoolit, Renato Milloshi nuk ka pranuar të ngrihej nga tavolina ku ishte ulur dhe në këtë mënyrë ka nisur debati mes tyre, që më pas është kthyer në konflikt fizik. Sipas Policisë, Milloshi ka goditur me thikë në krah dhe në kokë 21-vjeçarin Alteo Rama e më pas edhe 24-vjeçarin Albi Saliasi. Dy të plagosurit, pas mjekimit në Spitalin Ushtarak, ku kanë bërë edhe kallëzimet përkatëse ndaj Renato Milloshit, janë larguar drejt shtëpive, pasi gjendja shëndetësore nuk përbënte rrezik për jetën.
HETIMI PER MILLOSHIN
Renato Milloshi, i cili është djali i madh i kreut të Partisë Komuniste, Hysni Milloshi, është shoqëruar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë për plagosje të lehtë. Sipas Policisë, dy të dëmtuarit kanë tërhequr kallëzimin e bërë në polici në ngarkim të tij, duke qenë se kishin pësuar dëmtime të lehta. Por djali i Hysni Milloshit nuk e ka për herë të parë përballjen me policinë. Në dhjetor të vitit 2008, Renato Milloshi u arrestua për vjedhje me dhunë në afërsi të shkollës Petro Nini Luarasi, në Tiranë. Policia e kryeqytetit arrestoi djalin e politikanit komunist, në bazë të një mase sigurie të datës 23 dhjetor 2008, burg pa afat, që ishte dhënë në mungesë nga Gjykata e Tiranës. Ai, sipas burimeve të Policisë, akuzohej nga prokuroria për vjedhje me dhunë të një gruaje në kryeqytet. Për këtë krim, policia e kishte shpallur në kërkim Renato Milloshin si autor të dyshuar të ngjarjes që kishte ndodhur më 11 nëntor 2008 në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Ndaj tij kishte bërë kallëzim një grua, të cilën ai e kishte sulmuar duke i marrë me dhunë çantën dhe më pas i kishte shkulur nga qafa një varëse floriri. Në kohën kur u arrestua në dhjetor të vitit 2008, Milloshi kundërshtoi forcat operacionale të policisë duke tentuar të largohej.
Ndryshimi i emrit
Nga të dhënat e siguruara në Gjendjen Civile në Tiranë rezulton që djali i Hysni Milloshit e ka ndryshuar emrin nga Merkam në Renato. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë, personi i shoqëruar dje për plagosje të lehtë quhet Renato Hysni Milloshi, i datëlindjes 11 prill 1980. Ndërsa personi i arrestuar në vitit 2008 për vjedhje me dhunë dhe kundërshtim të forcave të policisë quhet Merkam Hysni Milloshi, po ashtu i datëlindjes 11 prill 1980. Por, burime nga Policia pohuan dje se bëhet fjalë për të njëjtin person. Ai mund të ketë ndryshuar emrin në Gjendjen Civile pikërisht për të fshehur precedentët e tij të mëparshëm penalë.
ETLEVA DELIA