E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me gruan, vret kushëririn

Qëllon me çifte për të vrarë gruan, por i merr jetën kushëririt të saj. Plumbat e saçmave kanë zënë papritur 53-vjeçarin Sotir Kordha, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

 Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Bestrovë të Vlorës, kur Besnik Driza, 57 vjeç, në kushtet e alkoolit dhe nën presionin e sherreve të vazhdueshme me të shoqen ka marrë çiften në duar. Ai ka nisur të qëllojë drejt bashkëshortes, Nazmijes, e cila nga frika ka dashur të shpëtojë duke u fshehur në shtëpinë e hallës së saj, pak metra më larg. Ajo ka mbyllur derën pas vetes, duke e lënë të shoqin në rrugë, me armë në dorë. Rastësia e hidhur ka bërë që kushëriri i saj, Sotiri të ndodhej dje në shtëpinë e lindjes, pasi ai jetonte në Vlorë. Pak minuta më vonë ai ka dashur të dalë nga porta, ndoshta për të sqaruar sherrin, por është përballur me zjarrin e armës. Autori i vrasjes, Driza nuk ka parë se kush po e hapte derën për të dalë, por ka qëlluar menjëherë në drejtim të derës së banesës së familjes Kordha. Një plumb në zemër ka qenë fatal për jetën e 53-vjeçarit. Sipas policisë, e cila mori dëshminë e autorit dhe dëshmitarëve në vendngjarje, vrasësi ka hapur derën duke menduar se kishte qëlluar të shoqen, por ka parë të gjakosur djalin e hallës së saj. Me shpejtësi, Besnik Driza është larguar nga fshati bashkë me armën e gjahut, ndërsa të afërm të Kordhës kanë kryer transportimin e tij për në spital, ndonëse sipas mjekëve ndihma ka qenë e kotë.
Forca të shumta të policisë u vunë në ndjekje të autorit. Ai kishte dalluar një taksi në dalje të fshatit dhe duke i drejtuar armën shoferit e ka detyruar ta transportojë drejt Fierit. Rreth 1 orë pas krimit, ai është mundur të ndalohet në afërsi të fshatit Cakran në Fier, nga patrullat që kishin marrë njoftimin për arratisjen e një personi që kërkohej për vrasje. Bashkë me armën e krimit ai është transportuar drejt komisariatit të Vlorës, ku i është marrë dje dëshmia. Autori ka këmbëngulur se nuk kishte qëllim të vriste kushëririn e gruas, por vetë atë. Sotir Kordha, baba i dy fëmijëve kishte punuar në sektorin e qarkullimit rrugor në komisariatin e Vlorës, por për shkak të reformës ishte larguar nga radhët e saj. Bashkë me familjen jetonte në Vlorë, por shpesh udhëtonte drejt Bestrovës ku ndodhej e ëma, si dhe kujdesej për pronat e tij. I arrestuari në pamjen e parë dukej i pashqetësuar dhe nuk i bënte përshtypje asgjë nga veprimet e kryera, pasi ende ndodhej në gjendje të dehur. Sipas fqinjëve, ai ishte martuar dy herë, por sherret me të shoqen ishin të vazhdueshme, nisur nga konsumi i alkoolit. Sa herë që grindeshin, ajo mësohet se gjente strehë tek të afërmit e saj, derisa të qetësohej situata. Besnik Driza ishte me origjinë nga Gramshi, por prej vitesh jetonte pranë fisit të gruas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›