E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gooollanda!” Portokallinjtë u heqin ngjyrën kampioneve të botës



Italia e shëmtuar bën xhiron e botës. Sepse “axurrët” janë kampionë, dhe fitorja 3-0 e Holandës në ndeshjen hapëse të Europianit zinte vendin kryesor të titujve për përditshmeve jo italiane. Gazetat holandeze ishin në festë. “Gooollanda!”, ishte titulli i gazetës “De Limburger”. “Debutim portokalli pa precedencë”, shkuan Algemeen Dagblad. “Portokallinjtë shkatërrojnë kampionët e botës”, është titulli i “BN De Stem”. “Portokallinjtë superiorë mbi italianët”, thekosn “De Telegraaf”.
Gazeta sportive italiane “Corriere dello Sport” ka “koleksionuar” titujt e disa gazetave franceze, spanjolle, angleze, austriake e rumune, në lidhje me humbjen e Italisë.
FRANCË –Francezët nga ana e tyre arritën një barazim 0-0 me Rumaninë dhe janë të kursyer në tituj: “Çfarë humbje për Italinë!”, ishte titulli i gazetës sportive “L'Equipe” Edhe “Le Monde” e “Le Figaro” janë në të njëjtën linjë. Sulmi vjen vetëm nga gazeta “Le Parisien”: “Historike! Shembull holandez”
SPANJË - Nuk i intereson direkt si ngjarje. Shtypi spanjoll mjaftohet vetëm me tituj të ftohtë: “Holanda bën festë” (As) dhe “Portokallinjtë u heqin ngjyrën kampioneve të botës”.
ANGLI –Në mungesë të ekipit të tyre, media angleze vë në dyshim golin e avantazhit të Holandës, të realizuar Van Nistelroi. “Italia e mundur nga padrejtësitë”, shkruan “Times”. “Indipedent” shkruan se “kampionët e botës u vunë poshtë nga holandezët”, duke përdorur brenda shkrimit fjalën “poshtërim”.
AUSTRI – Për poshtërim flasin edhe sitet e të përditshmeve kryesore austriake. “Holanda poshtëron kampionët e botës”, titullon lajmin “Kronen Zeitung”. “Kurier” e “Standard” shkruajnë: “Holandezët bëjnë copa-copa kampionët e botës”. “Die Presse”: “Kampionët e botës humbin magjinë”.
RUMANI – Pas barazimit 0-0 me Francën, media rumune tregohet entuziaste. “Pro Sport” shkruan: “Mutu do të jetë shumë i rrezikshëm në ndeshjen kundër Italisë”. “Adevarul” është më e guximshme: “Tani është radhe jote, Mutu”.

Mal statistikash “portokalli”

Humbja 3-0 me Holandën është njëherësh edhe më e thella e pësuar nga Italia në historinë e kampionateve europiane. Italianët kanë humbur me tre gola diferencë në Kupën e Botës: me Zvicrën 4-1 (1954) dhe Brazilin 4-1 (1970). Formacioni startues i Italisë në ndeshjen kundër Holandës kishte një moshë mesatare 31 vjeç e 52 ditë, një nga 11-shet më të moshuara në historinë e kompeticionit. Uelsi Shnajder shënoi në ditën e 24-vjetorit të tij. Lojtari tjetër që kishte shënuar më parë në ditëlindjen e tij në një kampionat europian ishte francezi Zh an-Fransua Domerk në fitoren 3-2 kundër Portugalisë në vitin 1984. Portieri i Holandës, Edvin van der sar dhe italiani Alesandro Del Piero luajtën në kampionatin e tyre të katërt europian. Të dy kanë luajtur edhe në vitin 1996, 2000 dhe 2004. Ata u barazuan me gjermanin Lotar Mateus, danezin Petër Shmajkel dhe francezin Lilian Turam. Van der Sar u bë lojtari i parë holandez që aktivizohet në 14 ndeshje të Kampionatit Europian. Ai la pas Denis Bergkamp dhe Filip Koku. Rekordi, përsa i përket ndeshjeve të aktivizuara i përket francezit Lilian Turam, me 15 takime, i fundit në barazimin 0-0 me Rumaninë në Euro 2008. Rud van Nistelroi ka shënuar deri tani pesë gola në Kampionatin Europian, duke barazuar trajnerin e tij aktual Marko van Basten. Patrik Klajvert është i vetmi lojtar holandez, që ka shënuar më shumë gola në Kampionatet Europiane (gjashtë).

UEFA: “Goli i Rudit, 100 per qind korrekt”

Goli i parë i Holandës, i shënuar nga Rud van Nistelroi, ka hapur shumë polemika në botën e gjykimit për legjitimitetin e tij. Shefi i “bilbilave” të Premier Ligës angleze, Keith Haket, pohoi se goli ishte i rregullt. Van Nistelroi dukej nga pamjet se ishte në pozicion jashtë loje, kur ai shënoi nga një distancë e afërt. Por sipas BBC-së, që i referohet Haketit, ai ishte në lojë për shkak të mbrojtësit italian Kristian Panuçi, i cili po largohej nga fusha në këtë kohë. “Fakti është se asistenti ishte korrekt në vendimin e tij. Mbrojtësi, i cili po linte fushën u konsiderua aktiv”, - tha Haket. “Kristian Panuçi po largohej nga fusha pas një kontakti me portierin e tij Xhanluixhi Bufon, duke u konsideruar pjesë e lojës”. Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, David Tejlor tha se gjyqtari suedez Peter Frojdfeldt dhe asistenti i tij Stefan Uitberg ishin absolutisht korrekt në interpretimin e tyre. Ai tha në një konferencë: “Ka një sërë keqkuptimesh se përse u dha ky gol i veçantë. Në fakt, disa komentatorë televizionesh këmbëngulën se goli ishte qartësisht jashtë loje, por ky nuk ishte një rast i tillë”. Sulmuesi holandez Dirk Kajt tha: “Unë mendova se goli ishte përfundimisht jashtëloje, por Rudi më tha se Panuçi ishte pranë portës. Ndoshta ai ishte pas saj, por ai ishte pjesë e lojës dhe kështu ai nuk ishte jashtë loje”.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›