Kapllani: “Te Karlsruhe, dua të bëhem si Lala te Hanover 96”
Sulmuesi i Karslruhes, Edmond Kapllani, futbollisti i Kombëtares shqiptare, i cili mban edhe rekordin për numrin më të madh të golave të shënuar në një fushatë kualifikuese të një kompeticioni të madh (5 gola, Euro 2008), pohoi se pret një sezon më të mbarë në kampionatin e tij të dytë në Bundesligën e parë gjermane (28 ndeshje, 2 gola në sezonin e kaluar)
“Pata me të vërtet një fillim të vështirë. Mosshënimi i golave në ndeshjet e para me demoralizoi, pasi të gjithë tifozët prisnin shumë prej meje. Por, falë dhe trajnerit e mbështetjes së tifozëve më në fund ia dola të realizoj edhe golin tim të parë në Bundesligë, e më pas dhe të dytin”, - tha sulmuesi, i cili dha një kontribut të çmuar me 17 golat e tij, për rikthimin pas dhjetë vitesh mungesë të Karlsurhes në Bundesligën 1. Kapllani ka shënuar 28 gola në Bundesliga 2 gjatë 70 ndeshjeve.
I ndodhur në Shqipëri, ku kaloi dhjetë ditë, ish-sulmuesi i Partizanit e Besës, nga dhe ku u transferua në Bundesligën e dytë gjermane, pohoi se Karlsruhe është klubi ku ai ndjen veten më mirë se kudo. “Nuk kam arsye të largohem, edhe sikur një klub tjetër të më ofrojë më shumë. Kam tre vjet që luaj për Karslruhen dhe në qytet ndihem si në Durrës. Jam nën kontratë deri në vitin 2010. Edhe im vëlla, Xhevairi (portieri i Teutës), më këshilloi që të mos lëvizja, duke më dhënë shembullin e Altin Lalës te Hannover”, - shton Kapllani i “vogël”, i cili vazhdon edhe studimet në Akademinë e Sporteve më Shqipëri. “Lala ka fituar një personalitet të padiskutueshëm në Gjermani, e vlerësojnë shumë. Edhe për (Ervin) Skelën janë të njëjtat konsiderata”, - thekson Kapllani. Së fundi edhe një mendim për Poloninë, që fitoi me miqësoren me Shqipërinë (1-0) dhe u mundur nga Gjermania në Euro 2008. “Na shërbeu shumë faza përgatitore. U ndjeva vërtet mirë me trajnerin Han. Më pëlqen që, ai do të krijojë një filozofi sulmuese. Kundër polakëve u përpoqëm të shënonim, por le ta konsiderojmë një test nga ku mund të nxjerrim mësime. Kampion i Europës? Do të më pëlqente Gjermania. Atmosfera do të ishte fantastike në Karlsruhe”, - përfundoi Kapllani, pak orë përpara se të mërrte avionin e linjës austriake për të udhëtuar drejt “atdheut të tij sportiv”, Gjermanisë. “E fillojmë shpejt fazën përgatitore. Më tepër do të ketë seanca çlodhëse, që do të zgjasin dy-tre javë sa të përfundojë Europiani. Më pas do të vinë edhe stërvitjet e vërteta e ndeshjet miqësore. Edhe pse luftuam fort sezonin e kaluar për të qenë të paktën në Kupën Intertoto, nuk ia dolëm, u renditëm në vendin e 11-të. Klubi e ka si objektiv një vend në Europë për sezonin e ardhshëm”.
Çfarë stërvitje! Duro me karafil të kuq
E habitshme! Klodian Duro me një karafil të kuq në dorë. Nuk është një foto e marrë nga një spoti televiziv, por nga stërvitja e parë e mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Klodian Duro me ekipin e tij të ri, Omonian e Qipros. Ish-mesfushori i Tiranës e nisi me kujtim të bukur aventurën e parë të tij në ishull, teksa mund të ndodhë që Omonia të jetë kundërshtare në Kupën UEFA e Partizanit apo Vllaznisë. Një ceremoni e bukur në prani të qindrave tifozëve të “tërfilave”, teksa urimet për sezonin e ri lojtarëve të porsa blerë u janë dhënë nga presidenti Miltiadhis Neofitu, trajneri Nedim Tutis dhe kapiteni Kostaqis Kaifas. Duro do të mbajë fanellën me numrin 15, ndërsa ndeshja e parë miqësore për ish-lojtarin e Arminia Bielfeld do të jetë ajo kundër zviceranëve të Young Boys.
Jorgo Çipi pranë Iraklisit
Sipas blogut grek iraklispress.blogspot.com, një faqe interneti që mbështet e publikon lajme nga shtëpia e Iraklisit të Selanikut, mbrojtësi korçar Jorgo Çipi (ka nënshkruar një parakontratë me Partizanin), mund të rezultojë një nga blerjet e Iraklisit për sezonin e ardhshëm. Qendërmbrojtësi 21-vjeçar (në sajtin grek shkruhet Xhordo Çipi) luajti me Skënderbeun sezonin që porsa u mbyll.
Salihi, sot te CSKA-ja e Sofjes
Sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi duhet të mbërrijë në Bullgari nesër, për tu takuar me shefat e CSKA-së. Transferimi i tij ishte gati, para se të përhapej lajmi, se kampioni bullgar nuk do të marrë licence për turnetë europiane. Menjëherë pas kësaj u përhapën fjalë, se Salihi nuk do ta pranojë ofertën e bërë nga klubi CSKA. “Nuk është e vërtetë. Djaloshi do të vijë, për të biseduar. Është normale ai të prese, që të na japin licence për kampionatin e vendas. Por kjo nuk do të thotë, se ai ka hequr dore nga ne”, - u shprehën nga CSKA-ja. Siç dihet ekipi i CSKA-së nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, për shkak të borxheve dhe detyrimeve ndaj bankave, si dhe të disa shumave për transferime të papaguara.
11 Qershor 2008