E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me grushte, vdes 56-vjeçari

Burrel
Dy burrat u përleshën pak metra larg komisariatit të policisë

Një sherr me grushte ka përfunduar tragjikisht për njërin prej protagonistëve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.30 të ditës së djeshme, në afërsi të Komisariatit të Policisë së Burrelit, kur dy banorë të Komunës Komsi janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive banale. Mësohet se Ramazan Koka, 44 vjeç, dhe Aqif Lleshi, 56 vjeç, janë zënë për arsye banale dhe kanë përfunduar në përplasje fizike. 44-vjeçari Koka e ka qëlluar Lleshin me grusht, gjë që ka shkaktuar përplasjen përtokë të 56-vjeçarit. Sipas policisë, përplasja e kokës në asfalt i ka shkaktuar vdekjen 56-vjeçarit Lleshi. Ndonëse ai është dërguar me urgjencë për në spitalin e Burrelit, çdo ndërhyrje mjekësorë ka qenë e kotë, pasi kishte ndërruar jetë brenda pak minutash. Ndërkohë, autori i ngjarjes është larguar për t’i shpëtuar prangosjes së policisë. Uniformat blu të Burrelit janë vënë menjëherë në kërkim të tij dhe vetëm pak orë pas ngjarjes kanë bërë të mundur ndalimin në fshatin Batër ku banonte. Ai është çuar në Komisariatin e Burrelit dhe është vënë në dispozicion të ekspertëve kriminalë që po hetojnë ngjarjen që i mori jetën 56-vjeçarit. Policia ende nuk ka një konkluzion përfundimtar për ngjarjen, por deklarohet se po punohet për zbardhjen e plotë të motiveve që çuan në përplasjen fizike mes dy bashkëfshatarëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›