Vritet në derë të shtëpisë për gardhin
Policia e Kukësit arreston në pyll pensionistin që i mori jetën fqinjit 33-vjeçar
Vritet në derën e shtëpisë një 33-vjeçar, baba i tre fëmijëve. Konflikti për pronën ka shënuar viktimën e radhës në fshatin Qinamak të Komunës Surroj të Kukësit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.30 të së hënës, kur Sali Leka, rreth 65 vjeç, dyshohet të ketë vrarë me armë zjarri 33-vjeçarin Dëfrim Keci në derën e shtëpisë. Sipas burimeve të policisë, mësohet se 65-vjeçari Leka ka qëlluar me pistoletë mbi 33-vjeçarin nga afër dhe një nga plumbat e ka prekur në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Të njëjtat burime saktësojnë se policia është njoftuar për vrasjen e Kecit nga një prej vëllezërve të tij, i cili ka qenë dëshmitar në ngjarje.
Motivet e vrasjes ende nuk janë zbardhur plotësisht, madje janë mjaft të paqarta të dhënat paraprake. Drejtori i policisë, Ali Elezi, tha dje për “Shqip” se vrasja mendohet të jetë kryer për motive të dobëta. Ndërkohë, burime jozyrtare thonë se motivi i vrasjes ka qenë një sherr mes dy bashkëfshatarëve për shkaqe pronësie.
Kryetari i Komunës së Surrojit, Halil Alia, i cili ditën e ngjarjes nuk ndodhej në Kukës, thotë se vrasësi dhe viktima i kanë shtëpitë ngjitur me njëra-tjetrën në fshatin Qinamak dhe ka të ngjarë që sherri të ketë nisur për rrugën e kalimit, apo për gardhin që ndan të dyja familjet.
Edhe më parë në këtë fshat ka pasur sherre që lidhen me pronësinë mbi tokën, por ky është rasti i parë i gjakderdhjes gjatë dekadës së fundit në këtë fshat për çështje pronësie. Viktima Dëfrim Keci është babai i tre fëmijëve të vegjël, të cilët mendohet se në momentin e krimit kanë qenë brenda në shtëpi. Ai së bashku me vëllezërit janë marrë me tregti perimesh dhe prodhime të tjera bujqësore. Ndërsa agresori Leka, 65 vjeç, është pensionist.
Ndërkohë, Policia e Kukësit ka bërë të mundur prangosjen e 65-vjeçarit, që dyshohet si autor i mundshëm i krimit. Pas ngjarjes, ai ishte larguar në pyll në drejtim të Arrnit për t’i shpëtuar prangosjes. Por policia, duke përfituar nga shpejtësia e marrjes së njoftimit prej vëllait të viktimës, kishte bllokuar të gjitha akset rrugore, duke mos i dhënë mundësi largimi përtej rrethit të Kukësit. Për rreth dy orësh kërkimi intensiv, është bërë e mundur kapja e 65-vjeçarit në një zonë me pyje dushku.
Ndërkohë, një burim i policisë thotë se janë siguruar disa gëzhoja arme në vendin e vrasjes së 33-vjeçarit, por ende nuk është gjetur arma e krimit, të cilën siç duket vrasësi e ka fshehur ose e ka hedhur në shkurre.
#