Plagosja e trefishtë, dyshohet për pazare të prishura
Policia e Durrësit thotë se ishte sherr banal, por mes protagonistëve ka lidhje biznesi
Një ngjarje për motive banale pas një konflikti në lokal. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës e ka përcaktuar të tillë plagosjen e trefishtë në plazhin e Durrësit, ndërsa ka deklaruar se janë identifikuar dy të dyshuarit si autorë të ngjarjes dhe është bërë shpallja e tyre në kërkim. Gjovalin Paluca, 33 vjeç, nga qyteti i Lezhës dhe Gjergji Tushaj, 46 vjeç, nga Korça janë shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit për plagosjen e shtetasit azerbajxhanas dhe dy banorëve të zonës së plazhit. “Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja është shkaktuar si rezultat i një konflikti të nisur në lokal për motive të dobëta dhe ndaj dy të kërkuarve është ngritur akuza e tentativës së vrasjes me dashje”, deklaroi zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Ornela Cako. Megjithatë, përtej deklarimeve, ngjarja duket më e ndërlikuar sesa një konflikt për motive banale. Mësohet se shtetasi nga Azerbajxhani dhe dy të dyshuarit i lidhte interesi për një biznes fitimprurës aktualisht në vend, ndërkohë që edhe dy personat e tjerë që kanë mbetur të plagosur në vendin e ngjarjes mësohet të jenë të përfshirë në biznes me kompaninë “Taçi”. Madje dhe një prej të kërkuarve, Gjovalin Paluca, mësohet se ka një pikë karburanti dhe servisi në Lezhë. Përtej deklarimit zyrtar për motive banale po hetohet edhe në pistën e prishjes së pazareve. Ngjarja ndodhi në verandën e jashtme të bar-picerisë “Taverna di Silvano”, fare pranë saj ndodhet një pikë karburanti dhe mes të plagosurve me armë zjarri të tipit pistoletë është dhe pronari i lokalit, Abdullah Osmani, i cili ia ka dhënë këtë ambient me qira një shtetasi italian. Ndonëse në ngjarje janë angazhuar forca të shumta policore dhe janë ngritur postblloqe, dy të dyshuarit ende nuk janë kapur. Grupi hetimor që shkoi në vendin e ngjarjes ka fiksuar gëzhojat dhe ka marrë dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, si edhe deklaratat e tre të plagosurve në këtë ngjarje të rëndë, pavarësisht se të tre janë goditur në gjymtyrët e poshtme.
#